Të bësh para me …dëborën!
Nga Nertila Doko
Shqipëria është bërë tashmë një destinacion tërheqës jo vetëm gjatë sezonit të verës por edhe në dimër. Këtë e konfirmojnë shifrat e vizitorëve të cilët vizitojnë vendin tonë për turizëm edhe muajve të dimrit. Të dhënat zyrtare nga INSTAT flasin qartë se përgjatë viteve të fundit, trendi është në rritje, kryesisht përgjatë muajve dhjetor, janar dhe shkurt.
Përveç një tregu të brendshëm turistik në formim e sipër, rritje të ndjeshme ka pasur edhe fluksi i turistëve të huaj. Sipas INSTAT në dhjetor të 2017-ës, 257 mijë të huaj vizituan Shqipërinë, nga 225 mijë të Dhjetorit 2016, me një rritje prej 14 për qind.
Edhe më e madhe është rritja gjatë janarit, ku në 2018 regjistrohen 232 mijë turistë, dhe në 2017-ën, 172 mijë, që do të thotë se zgjerimi është me 35 për qind. Të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i vizitorëve të huaj në 2018 u rrit me afro 16 për qind gjatë vitit të kaluar, me një normë rritje gati dy herë më të lartë krahasuar me vitin 2017.
Pas një rënieje gjatë tetorit dhe nëntorit, turizmi hyrës i shtetasve të huaj u rrit sërish në dhjetor. Një e treta e shtetasve të huaj që vizitojnë Shqipërinë janë kosovarë, ndërsa mbi 60 për qind e totalit të tyre vijnë nga vendet fqinje.
Vitin e kaluar, numri i vizitorëve nga Kosova u rrit me 20 për qind, ndërsa vetëm për dhjetorin rritja ishte afro 39 për qind. Për sa i takon turizmit të mirëfilltë të organizuar, rritje domethënëse për të dytin vit radhazi regjistroi numri i vizitorëve nga Polonia, që u rrit me 34 për qind.
Rritje ka pasur edhe numri i vizitorëve nga Gjermania dhe SHBA. Po pavarësisht këtyre shifrave të cilat janë të publikuara zyrtarisht, operatorët turistikë në vendin tonë vlerësojnë se numri i turistëve të huaj të cilët kërkojnë të vizitojnë vendin tonë gjatë periudhës së dimrit është ende shumë i ulët.
Kjo ka disa arsye. Fqinjët tanë në radhë të parë kanë një treg shumë më konkurrues, çka shërben si një magnet për ata që duan të shijojnë bukuritë e dëborës. Po ashtu në vendin tonë ende nuk ka një rrjet hotelier dhe zona me infrastrukturë të plotë për këtë lloj turizmi. Ka edhe një faktor tjetër, shumë turistë që vijnë përgjatë periudhës së dimrit, si nga vendet fqinje Kosova, Greqia etj ashtu edhe nga vende të tjera më të largëta, shumë shpesh zgjedhin të vijnë pa iu drejtuar agjencive turistike.
Potencialet
Promovimi i paketës gjithëvjetore turistike shqiptare, mundësitë e fluturimeve gjatë gjithë vitit si dhe ndërtimi i resorteve turistike apo përmirësimi i kushteve të akomodimit janë disa nga faktorët favorizues të rritjes së numrit të turistëve gjatë muajve të ftohtë. Iniciativa për ndërtimin e resorteve në zonat malore si ajo në pllajën e Shishtavecit në Kukës, ku aktualisht ka edhe një klub për të bërë ski, janë vetëm se tentativat e para.
Po synohet të ringjallet një traditë që ka patur prej vitesh në atë zone, por që ende ka shumë potenciale për tu shfrytëzuar dhe për tu future në një treg ku kërkesa nuk mungon. Në mbarë botën numërohën rreth 66 vende që ofrojnë klube skish, madje vende edhe më pak të favorizuara nga kushtet atmosferike krahasuar me Shqipërinë. Kjo tregon se është mundësia e ndërtimit të resorteve që mund të tërheqin vëmendjen e skiatorëve dhe pushuesve të huaj.
Një tjetër investim që parashikohet si një pjesë e përpjekjeve për zhvillimin e turizmit dimëror është edhe ndërtimi i një resorti në fshatin Nikolicë në afërsi të Dardhës në Korçë. Por vendi ynë ka pafund zona të cilat po të investohet mund të bëhen destinacion e të preferuara në sezonin dimëror, kjo falë lartësisë që ato kanë krahasuar me nivelin e detit e që u jep mundësi të jetë të mbuluara nga dëbora, për një kohë të gjatë. Të tilla vende me potencial mund të përmendim malin e Korabit, Bjeshkët e Ilnicës mbi 2300 metër lartësi apo Lurën e Gramozin që gjenden në lartësi mbi 2000 metra e që kanë potencialin për të qenë perla e që mund të kthehen në përfitim të madh ekonomik.
Por operatorët turistikë edhe pse pohojnë se ka një rritje të numrit të vizitorëve edhe interes të shtuar për të eksploruar edhe skajet më të largëta të Shqipërisë, shprehen se sërish ngelet shumë për të bërë. Problemi më kryesor që e ka penalizuar zhvillimin me gjithë kërkesat e viteve të fundit, është mungesa e infrastrukturës rrugore. Prej vitesh operatorët turistikë e kanë shprehur këtë shqetësim që sipas tyre është një ndër arsyet kryesore që ndikojnë në vendimet e turistëve për ta zgjedhur Shqipërinë ose jo.
Sipas tyre ka një shans të madh për vendin, ku përmes investimeve mund të përfitojë një turizëm shumë herë më të zhvilluar. Ata vijojnë të këmbëngulin për investime në rrugët më të largëta pasi vendi është në një moment që po tërheq vëmendjen e të huajve, si i vetmi vend i paeksploruar plotësisht dhe me mundësi për të pasur paketa të përbashkëta me vendet e tjera të rajonit si Maqedonia, Mali i Zi apo Greqia.
Projektet
Pavarësisht se duhen investime të mëdha, ministria e turizmit dhe mjedisit po synon të ketë ndikimin e vet edhe në gjallërimin e këtij tregu. Kreu i kësaj ministrie, Blendi Klosi, është shprehur për paketa të përbashkëta turistike me vendet e rajonit.
Me këtë synohet për ta vendosur Shqipërinë në vëmendjen europiane e më gjerë. Së fundmi kjo ministri ka rënë dakord për ndërtimin e paketave të përbashkëta turistike për një turizëm gjithëvjetor me Slloveninë, Kroacinë dhe Malin e Zi. Së shpejti pritet të krijohet paketa e përbashkët me Malin e Zi për Liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna.
Kjo është një mënyrë për të tërhequr turistët të cilët zgjedhin të vizitojnë vendin fqinj, por edhe Shqipërinë. Fakti që Mali i Zi ka një turizëm shumë më të zhvilluar se vendi ynë po jep efektet e veta pasi numri i turistëve të huaj që hyjnë në Shqipëri, përmes kufirit me këtë shtet, gjatë gjithë vitit është në rritje. Vetëm gjatë vitit 2018 numri i të huajve që hynë në territorin shqiptar nga kufiri i Malit të Zi, për qëllime turistike arriti deri në 360 mijë. Por ky numër me ofrimin e paketës së përbashkët pritet të rritet edhe më shumë.
Ende nuk kemi produkte të turizmit dimëror! Flet për “SCAN Magazine” Besnik Vathi, operator turistik
Së fundmi po flitet edhe për zhvillimin e turizmit dimëror në Shqipëri. A kemi ne kërkesë dhe rritje të numrit të turistëve gjatë sezonit dimëror?
-Që të kemi turizëm dimëror duhet të kemi produkt dimëror. Ne në fakt nuk kemi ende produkt të mirëfilltë dimëror, i vetmi produkt në dimëror që sjell një numër të vogël turistësh është festimi i vitit të ri në hotelet e plazheve kryesisht në Vlorë apo në Durrës, por edhe në vende të tjera. Aktualisht kaq kemi. Ndërsa zgjerimi i sezonit nuk është aq i thjeshtë, me gjithë dëshirën e mirë, kërkohen shumë punë dhe investime.
Çfarë produktesh mund të ofrojmë ne për të tërhequr “turistët e dimrit”?
-Produktet që duhet të ofrojmë? Po ja për shembull, ne duhet të ofrojmë turizmin e skive, por as kjo nuk është e mjaftueshme. Përvec kësaj ne duhet të investojmë shumë e shumë më tepër në infrastrukturën rrugore.
A nevojiten investime të tjera?
-Po patjetër duhet shumë punë e investime në stacione skish në infrastrukturë deri në këto stacione për ti shfrytëzuar ato. Por edhe kjo llogaritet, pasi për një muaj që mund të mbash hotelin hapur vetëm për një periudhë kaq të shkurtër, nuk ja vlen. Zhvillimi i kongreseve të mëdha është një tjetër mundësi e mirë do të thoja.
A po promovohen resurset që kemi sa duhet?
-Nuk është problem promovimi. Duhen struktura të organizuara dhe hotele.
Ju thatë që e vetmja periudhë në dimër që sjellë turistë në vendin tonë është ajo e vitit të ri. Çfarë turistësh vijnë më shumë, nga cilët vende dhe sa arrin numri i tyre?
-Po, periudha e vitit të ri siç e përmenda edhe pak më parë është e vetmja që sjell turistë në vendin tonë. Numri i tyre ende është shumë i vogël dhe nuk arrin më shumë se 1500 apo 2000 turistë. Ata vijnë kryesisht nga Serbia e Bullgaria.
SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.