Të dypunësuarit rrisin të ardhurat në buxhet 8-mujori: 4.2 miliardë lekë më shumë nga tatimi mbi të ardhurat personale
Pavarësisht periudhës së pandemisë dhe vështirësive ekonomike me të cilat janë përballur bizneset dhe qytetarët, tatimi mbi të ardhurat personale për periudhën Janar-Gusht të këtij viti është mbledhur në nivelin 18.1 për qind më shumë në 8 mujorin 2020. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 27.2 miliardë lekë, apo 4.2 miliardë lekë më shumë se 8 mujori 2020, si dhe 624 milionë ose 2.3% më shumë se plani 8 mujor i 2021.
Ndikim të rëndësishëm në këtë zë kanë pasur të ardhurat nga tatimi mbi deklaratën individuale vjetore të të ardhurave me rritje 100% krahasuar me 8-mujorin e vitit 2020. Ku gjatë këtij vitit, përpos detyrimit që kishin individët rezidente te cilët realizojne te ardhura vjetore bruto me burim brenda apo jashte Shqiperise në shumën 2 milionë lekë për të plotësuar Deklaratën Individuale të të Ardhurave Personale, pjesë e detyrimit për këtë tatim u bënë edhe individët e punesuar ne me shume se nje njesi ekonomike pavarësisht shumës vjetore te te ardhurave. Dhe duket se tatimi i mbledhur nga të dy punësuarit, ka rritur ndjshëm perfomancën.
Po ashtu, ndikim kanë dhënë edhe të ardhurat nga tatimi mbi dividentin dhe aksionet me rritje 53% krahasuar me 8-mujorin e vitit 2020. Nga ana tjetër gjatë këtij viti ka nisur të rigjallërohet edhe tregu i punës, ku vetëm në gjysmën e parë të vitit, 55 mijë qytetarë janë punësuar sërish, duke u futur në skemën e sigurimeve shoqërore, pas probleme dhe shkurtimeve masive gjatë viti 2020 për shkak të kufizime prej pandemisë COVID-19.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.