Të gjithë në Berlin – Merkel-Macron presin liderët e Ballkanit. Kosovë-Serbi, tema kryesore
Samiti i Berlinit, do të mbledhë sot në Kryeqytetin e Gjermanisë, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe shtete të tjera. Ftesa vjen nga Kencelarja Merkel, por edhe nga Presidenti francez Emmanuel Macron.
Bëhet fjalë për dy shtetet kryesore të Bashkimit Europian, dhe takimi i liderëve të rajonit me këta dy faktorë shihet me rëndësi të madhe për të ardhmen europiane. Përpara zhvillimit të punimeve të samitit, Kancelarja Merkel mësohet se do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Zoran Zaev dhe pas tij një tjetër takim kokë më kokë me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Më pas do të vijojë punimet samiti dhe në fund kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Në takim do të jetë edhe Federica Mogherini, e cila do t`i zërë vendin Jean Claude Juncker i cili nuk e ka të mundur të jetë i pranishëm.
Fokusi kryesor i samitit të këtij viti do të jenë marrëdhëniet Kosovë-Serbi, të cilat janë të vetmet vende që do të përfaqësohen, si në nivel kryeministrash ashtu edhe në nivel presidentësh.
Në Berlin janë edhe Thaçi me Vucic. Qëllimi është vetëm 1: arritja e një marrëveshje mes dy vendeve, paçka se zhvillimet e fundit bëjnë që diçka e tillë të duket e pamundur.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.