Të pastrehët nga tërmeti, shtohet fatura – Qeveria i akordon Agjencisë Kombëtare të Bregdetit 2 milionë dollarë
Problemi i akomodimit të qytetarëve që kanë humbur banesat nga tërmeti vazhdojnë të rrisë peshën në buxhetin e shtetit. Më datë 31 janar Këshilli i Ministrave ka shtuar nga arka e shtetit rreth dy milionë dollarë që do të përdoren për akomodimin e të pastrehëve. Shuma në fjalë do t’i kalohet Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, institucion tjetër ky që do kujdeset për akomodimin e tyre në muajt në vijim. “Agjencia Kombëtare e Bregdetit, i shtohet fondi prej 200 milionë lekësh për përballimin e shpenzimeve të akomodimit të përkohshëm të të dëmtuarve, për shkak të fatkeqësisë natyrore, në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë.”
Shifra prej 2 milionë dollarësh, duhet ti shtohet fondit prej afërsisht 12 milionë dollarësh që është parashikuar në buxhetin e vitit 2020 me qëllim akomodimin e familjeve të pastreha, pas tërmetit të 26 nëntorit. Fondi do ti vijë në ndihmë njësive të qeverisjes vendore, të cilat kanë detyrim për të strehuar familjet e pastreha, me qira në tiranë Durrës dhe Lezhë.
Ndërkaq, përmes disa masave ligjore, Këshilli i Ministrave ka shkurtuar afatet për të përfituar bonusin e qirave nga ana e të pastrehëve, por edhe të dokumentacionit që nevojitet.
Sipas Ministrisë së Financave të drejtë për të përfituar kanë edhe ato familje të cilat kanë nevojë të kryejnë punime në banesë për një periudhë të shkurtër kohë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.