Të pastrehët pa zgjidhje, KLSH: Programet kanë adresuar raste individuale, stoku inekzistent në shumicën e bashkive
Auditimi i Programeve Sociale të Strehimit gjatë vitit 2019 arrin në përfundimin se ato janë shumë larg zgjidhjes së problemit fenomenit shoqëror. Në raportin konkludues, KLSH vlerëson se programet e strehimit nuk janë zbatuar plotësisht si politika sociale, duke adresuar
Vetëm raste individuale, por jo fenomenin social të të pastrehëve. Mungojnë regjistri kombëtar mbi të pastrehët dhe investimet në banesa sociale, stoku i të cilave është inekzistent në shumicën e bashkive dhe i pamjaftueshëm në disa të tjera.
‘Asgjësimi” i strehimit në nivel qendror bashkë me Ministrinë e Zhvillimit Urban, në një kohë kur kjo ministri kishte përgatitur një strategji për strehimin 2016-2025, ka ndikuar negativisht në financimin dhe zbatimin e programeve sociale. Aksesi në programet sociale është mjaft i kufizuar. Bashkitë stepen në ofrimin e një informacioni të plotë nga risku i dyndjeve në skemën e strehimit social.
Ligji i ri Nr. 22/2018 “Për strehimin social”, ndonëse ndjek modele të mira europiane, rrezikon të mos ofrojë një zgjidhje reale, pasi shtrihet përtej asaj që përballojnë kapacitetet e bashkive. Në kushtet kur burimet e tyre financiare qenë të kufizuara për të menaxhuar një skemë strehimi me 3 programe, dinamika që ofron ligji i ri e bën më riskoz zbatimin e një skeme strehimi të ngarkuar me 6 programe.
Rekomandimet për problematikat e identifikuara në këtë auditim kanë konsistuar në ndërmarrjen e një qasjeje proaktive nga ana e bashkive, duke filluar me inkuadrimin e strehimit social në planifikimet urbane dhe duke aplikuar metoda bashkëkohore europiane, në bashkëpunim me sektorin privat të ndërtimit, për të kultivuar banesa sociale.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.