TEC s’prodhon energji, por shpenzime – APP hap tenderin për transportin e punonjësve
Termocentrali i Vlorës, jo vetëm që nuk ka prodhuar asnjë kW energji, që prej kohës kur është ndërtuar, por po krijon shpenzime për buxhetin e shtetit. Agjencia e Prokurimit Publik ka hapur procedurën tenderuese për transportin e punonjësve të TEC-it, ndërkohë që fondi limit i vënë në dispozicion është 1.2 milion lekë.
Operatorët e interesuar mund të depozitojnë ofertat e tyre deri në datën 31 tetor, ndërkohë që kohëzgjatja e zbatimit të kontratës do të jetë 12 muaj. TEC Vlora, me kapacitet 97 MW është përfunduar në tetor të vitit 2011, por si rrjedhojë e një defekti në tubacionin e ujit, i cili shërben për ftohjen e turbinës ai nuk është vënë asnjëherë në punë.
Nga viti 2004 deri në vitin 2011, Korporata e Elektroenergjitike Shqiptare ka harxhuar 130 milionë dollarë si pjesë e një projekti të financuar nga Banka Botërore, ndërsa edhe sot vijon të paguajë këstet e kredisë. Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po planifikon lidhjen e TEC-it me gazsjellësin TAP, që konsiderohet si e vetmja mënyrë për ta vënë në punë këtë vepër energjetike.
Teksa prezantoi programin qeverisës, ministri Damian Gjiknuri deklaroi se është duke përfunduar studimi i plotë për hapjen e tenderit, në mënyrë që përmes partneritetit publik-privat të zgjidhet investitori që të bëjë konvertimin me gaz, lidhjen me rrjetin e gazit dhe futjen e tij në portofolin e prodhimit të energjisë në vend.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.