Telashe për kriptovalutat – Bien ndjeshëm në vlerë, probleme edhe me platformat
Pas bumit të fundit të vitit të kaluar dhe ditëve të para të 2018-ës, kriptovalutat kanë pësuar një rënie drastike.
Gjatë javës së kaluar kanë humbur më shumë se 100 miliardë dollarë në kapitalizim tregu. Por, tashmë duket se problemet nuk shtrihen vetëm te vlera që kanë në treg këto valuta virtuale.
Gjatë javës, një prej platformave më të mëdha në botë të shkëmbimit të monedhave virtuale, Kraken, kolapsoi për orë të tëra, duke shkaktuar jo pak nervozizëm mes klientëve.
Fillimisht ëebsite u mbyll për punime, por rezultoi se, këto punime zgjatën më shumë se ç`ishte planifikuar, gjë që shkaktoi edhe irritimin e klientëve të platformës. Gjithsesi, Kraken i siguroi klientët se, kursimet e tyre ishin të sigurta.
Duke qenë se rreth monedhave virtuale ka shumë skepticizëm, rrjedhojë e mungesës së autoriteteve mbikëqyrëse, çdo problem përkthehet në panik.
Historia e monedhave virtuale flet për shumë vjedhje në rrjet.
Shumë platforma të ngjashme të tregtimit të monedhave virtuale kanë shpallur falimentin ndër vite, duke shkaktuar humbje të mëdha.
Kriptovalutat, me mijëra të tilla aktualisht, duke qenë se çdo ditë dalin rreth 100 të reja, janë një valutë virtuale e parregulluar, duke bërë që të jenë jo vetëm të luhatshme në vlerë por edhe të pasigurta deri diku.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.