Teliti: Arkës së shtetit i mungojnë 80 mln euro. Aksioni anti-informalitet, dështim spektakolar
Partia Demokratike shpreh shqetësimin për situatën ekonomike, duke iu referuar të dhënave më të fundit të të ardhurave të arkës së shtetit. Në daljen për mediat, Dorian Teliti evidentoi se arkës së shtetit i mungojnë 80 milionë euro nga tatimi mbi vlerën e shtuar, i cili është treguesi kryesor i konsumit dhe i ecurisë së ekonomisë. Sa i përket aksionit kundër informalitetit, Teliti e cilësoi si “një dështim spektakolar”.
“Pavarësisht propagandës, aksioni kundër bizneseve jo vetëm nuk e përmbysi dot rezultatin e performancës negative në tatime e dogana, por dha impakt akoma më negativ në treguesit e ekonomisë dhe në mbledhjen e të ardhurave.
Konkretisht, TVSH-ja e mbledhur nga tatimet në muajin gusht, TVSH e brendshme, në kulmin e aksionit tatimor dhe policor kundër bizneseve, ishte 11 mln euro më e ulët sesa gushti i vitit të kaluar, plot 33% më pak.
Pra, aksioni jo vetëm dështoi, por e përkeqësoi akoma edhe më tej ecurinë dhe klimën e të bërit biznes. Më pak TVSH, më pak akciza, më pak taksa nacionale e taksa doganore në arkën e shtetit. Gjithashtu më pak investime.
Në 8 muajt e parë të vitit janë financuar 56 milionë euro më pak për projektet e investimeve publike. Janë 56 milionë euro më pak për shkolla, spitale, rrugë, ujësjellësa, sepse prioriteti i Edi Ramës nuk janë qytetarët dhe zhvillimi i vendit. E vetmja gjë që ka rritje është shpenzimi për luksin qeveritar” tha Teliti.
Në vijim të deklaratës, Teliti tha se vendi ka nevojë urgjente për një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe me program të qartë për daljen nga kriza dhe se alternativa e Partisë Demokratike është “e vetmja zgjidhje që e çliron ekonominë nga kapja e një grushti oligarkësh dhe kriminelësh, duke e vendosur atë në funksionin të zhvillimit të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.