Tenderët, ARRSH “rrëzohet” 2 herë – KPP ndryshon fituesin e Unazës së Madhe, pranon ankesën e Salillarit
Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar vendimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar për kompaninë që do të kryejë punimet në lotin 1 të Unazës së Madhe, që u përfshi në skandalin e falsifikimit të dokumenteve nga kompania ‘DH Albania”. KPP ka pranuar ankesën e depozituar nga bashkimi i operatorëve “Salillari” dhe “Bajrami N”, çka sjell ndryshime në fituesin e tenderit me fond limit 2.25 mld lekë , pa TVSH.
Pas rihapjes së tenderit në muajin qershor të këtij viti, në garë morën pjesë 8 kompani, nga të cilat 5 u skualifikuan. Ndërkohë që, referuar vlerës më të ulët të ofruar, fitues u shpall Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Vëllezërit Hysa” sh.p.k. & “Be – Is” sh.p.k. të cilët për realizimin e veprës ofruan 1.786.834.087 lekë. Por, pas vendimit të komisionit të Prokurimit Publik, i cili kualifikon bashkimin e operatorëve “Salillari” dhe “Bajrami N”, fitues do të duhet të shpallet ky konsorcium, që ka ofruar 1.776.111.282 lekë, apo rreth 10.72 mln lekë më pak se “Vëllezërit Hysa”.
Ndërkaq, KPP nuk ka pranuar ankesën e një bashkimi tjetër operatorët, pjesëmarrës në garë, që pretendonin se ishin skualifikuar në mënyrë të padrejtë. Ky është vendimi I dytë, që rrëzon Autoritetin Rrugor Shqiptar, pas tenderit për ndërtimin e tunelit Kardhiq-Delvinë, që tashmë është anuluar tërësisht nga qeveria.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.