Tensione në kufirin Poloni-Bjellorusi – Qindra emigrantë flenë në -1 gradë celsius pasi Polonia mbyll kufijtë
Qindra emigrantë kanë fjetur jashtë në temperatura të ftohta, pranë kufirit të Bjellorusisë me Poloninë, ndërkohë që zyrtarët paralajmëruan se tensionet mund të rriten në ditët e ardhshme. Polonia ka akuzuar Bjellorusinë se po përpiqet të nxisë një përballje të madhe duke inkurajuar emigrantët që të kalojnë në Poloni dhe Bashkimin Europian. Pamjet në video të publikuara nga policia polake treguan tenda të emigrantëve në anën e Bjellorusisë. Temperaturat në kufi ishin në -1 gradë celsius, sipas gazetarëve të Reuters, të pranishëm.
Ditën e hënë, pamjet në mediat sociale treguan qindra emigratë që po ecnin drejt kufirit Polak pranë fshatit Kuznica, ku disa po përpiqeshin të çanin gardhin duke përdorur lopata dhe mjete të tjera. Policia kufijëtare e Polonisë, tha për Reuters se rreth 800 njerëz po qëndronin në tenda në anën e Bjellorusisë të gardhit, pjesë e një grupi të rreth 4,000 emigrantëve atje dhe në pyjet përreth.
Një zëdhënës për shërbimet speciale të Polonisë, tha se sipas vlerësimeve, mund të jenë rreth 12,000 emigrantë në Bjellorusi. Autoritetet polake mbyllën kalimin kufijëtar zyrtar me Bjellorusinë ditën e Martë, ku mijëra emigrantë u përpoqën të kalonin një ditë më parë. Polonia deklaroi se ka caktuar ushtarë, roje kufijëtare dhe policinë, ndërsa Lituania fqinje ka thënë se mund të aplikojë një gjendje të emergjencës shtetërore në kufirin me Bjellorusinë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.