Tensionet kufitare Ukrainë-Rusi, Tregtarët: “Nuk kanë ndikuar tek eksportet dhe çmimi i grurit”
Përkeqësimi i tensioneve në kufirin lindor të Ukrainës me Rusinë, nuk ka ndikuar eksportet e drithërave dhe çmimet, sipas tregtarëve, që shtojnë se po monitorojnë me kujdes situatën, në një rajon që ofron një pjesë të madhe të nevojave ushqimore të botës. Kievi zyrtar ka shprehur shqetësime mbi shtimin e forcave ushtarake ruse në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë, si dhe prej rritjes së dhunës në linjën që ndan trupat ukrainase dhe separatistët rus në rajonin Donbass.
Edhe pse Ukraina është një eksportues gjigant botëror i drithërave, pasi shiti 57 milionë ton në sezonin 2019/20, ministria e ekonomisë në vend shtoi se nuk sheh ndonjë panik në treg. Tregtarët e kanë mbështetur këtë, duke thënë se nuk ka ndikuar tek çmimet, ndërkohë që po monitorojnë situatën me kujdes. Ukraina ka eksportuar deri më tani 36 milionë ton drithëra për sezonin 2020/21 dhe shumica e kësaj ka dalë nga vendi nëpërmjet porteve në Detin e Zi. Të gjithë portet ukrainase kanë rinisur operacionet pasi u ndërprenë ditën e Enjte nga stërvitjet ushtarake, sipas autoriteteve.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.