Tensionet SHBA-Kinë prekin majën. DASH urdhëron mbylljen e konsullatës në Houston. Stafi djeg dokumentat
Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar konsullatën kineze në Houston që të mbyllet brenda 3 ditëve, duke përmendur nevojën për të mbrojtur pronën intelektuale amerikane dhe informacionin, në një kohë të përkeqësimit të marrëdhënieve. Pekini e kritikoi urdhërin dhe kërcënoi për kundërpërgjigje. Një burim theksoi se Kina po konsideron mbylljen e konsullatës amerikane në Wuhan. Tensionet mes SHBA dhe Kinës janë shtuar që prej shfaqjes së koronavirusit në nisje të vitit. Departamenti Shtetëror konfirmoi mbylljen e pashmangshme të konsullatës në Houston, pasi ministria e jashtme në Kinë raportoi se i është kërkuar të ndalojë misionin.
Lajmi tronditi tregjet financiarë me një valë të shmangies së rrezikut nga investitorët. “Mbyllja është urdhëruar për të mbrojtur pronën intelektuale amerikane dhe informacionin privat”, -tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus. Ajo shtoi se SHBA nuk do tolerojë shkeljen e sovranitetit dhe kërcënimin e njerëzve nga Kina, ashtu si ç’ka toleruar praktikat e padrejta tregtare, vjedhjen e vendeve të punës dhe sjellje të tjera. Kina e kritikoi urdhërin duke thënë se po përkeqëson marrëdhëniet.
“Mbyllja e njëanshme e konsullatës së përgjithshme në Houston brenda një periudhe të shkurtër kohore, përbën një përshpejtim të jashtëzakonshëm të sulmeve kundër kinës”, – deklaroi ministria e jashtme në Kinë. Zëdhënës të ministrisë kineze thanë se qeveria ka kohë që i bën presion diplomatëve dhe stafit, si dhe ka marrë në pyetje studentët kinez duke konfiskuar pajisjet e tyre personale elektronike. Nga ana tjetër, departamenti i zjarrfikësve në Houston deklaroi se ka patur një zjarr në oborrin e konsullatës dhe nuk i është lejuar akses. Policia e Houston tha se stafi i konsullatës ka djegur dokumenta për shkak se do nxirren nga ndërtesa ditën e Premte.
Departamenti i Drejtësisë në SHBA akuzoi gjithashtu 2 shtetas kinezë për spiunim kibernetik përgjatë 1 dekade, ku kanë vjedhur informacion për projektimin e armëve, të dhëna për barnat dhe të dhëna personale.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.