Tentuan të kalonin kufirin me para të padeklaruara dhe me dokumente të falsifikuara – Policia arreston në flagrancë 2 shtetas
Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar në flagrancë 2 shtetas të cilët kanë tentuar të kalojnë nëpërmjet kufirit në mënyrë të paligjshme dhe me dokumente të falsifikuara, 22.090 euro.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me Strukturat e DVKM Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasit:
Sh. B., 58 vjeç dhe B. D., 54 vjeç, banues në Tiranë.
Referuar njoftimit, gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Durrës, në kamionin të cilin e drejtonin të dy shtetasit, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shtetasit Sh. B., një leje drejtimi dhe kartë identiteti greke, të dyshuara si të falsifikuara, si dhe 12.090 euro, ndërsa shtetasit B. D., iu gjetën 10.000 euro të padeklaruara gjatë kontrollit doganor.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.