Tërhiqet bitcoin – Humbet 1/5-ën e vlerës nga dita e Dielë, pas listimit në CME
Bitcoin ra me më shumë se 10% ditën e Mërkurë, duke prekur nivelin më të ulët javor prej 15,800 dollarë dhe humbur më shumë se 1/5-ën e vlerës që prej majës së arritur 3 ditë më parë.
Valuta dixhitale është tërhequr që kur preku nivelin rekord të lartë prej 19,666 ditën e Djelë, kur bursa tregtare e Chicagos nisi tregtimin e kontratave “futurës”, 1 javë pas bursës rivale të produkteve derivate CBOE.
Sipas analistëve, listimi i kontratave “futurës” për Bitcoin, e bën më të lehtë për investitorët institucional që të tregtojnë valutën por edhe lejon hapjen e pozicioneve për shitje, që ka qenë më e vështirë më parë.
Rritja e “çmendur” e Bitcoin këtë vit ka sjellë shqetësime dhe alarm nga politikëbërësit. Banka Qendrore e Singaporit dha paralajmërim ditën e Martë kundër investimeve në kriptovalutat, duke argumentuar se fryrja e çmimit ka ardhur prej spekulimeve dhe se ekziston rreziku i një rënieje të mprehtë.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në Korenë e Jugut deklaroi se nuk e konsideron bitcoin si një valutë.
Ministri i Financave i Japonisë, Taro Aso, tha se nuk është vërtetuar ende se bitcoin është një valutë e besueshme. Shumica e analistëve kanë thënë se bitcoin, që ka një vlerë totale tregu në 275 miliardë dollarë, shifër që kalon atë të kompanisë Visa, është një “flluskë” tipike, duke marrë parasysh numrin e vogël të transaksioneve.
Bitcoin pati ndikim negativ edhe prej lajmërimit të Coinbase, platformës më të madhe në SHBA, ku tregoi se do të shtojë oferta për rivalin “bitcoin cash”.
Bitcoin cash u nda nga bitcoin origjinal në datën 1 Gusht, pasi një grup programuesish vendosën të përmirësojnë shpejtësinë e transaksioneve dhe koston.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.