“Tërhiqet” industria gjermane – Prodhimi bie lehtë në Dhjetor, perspektiva qëndron optimiste
Shoqata e dhomave të tregtisë dhe industrisë në Gjermani (DIHK), rriti projeksionet për ekonominë gjermane në 2.7% për vitin 2018 nga 2.2% që priste më parë, duke dhënë kështu një perspektivë optimiste për ekonominë më të madhe të Europës.
Kjo vjen pavarësisht rënies së prodhimit industrial në fund të vitit që kaloi. Ekonomia gjermane ndodhet në një rimëkëmbje të nxitur nga konsumi, në një kohë të punësimit në nivel rekord, rritjes së sigurisë në punë, rritjes së pagave reale dhe uljes së kostove të huamarrjes.
Së fundmi, perspektiva është forcuar edhe nga rimëkëmbja e investimeve nga kompanitë dhe eksportet. Sipas sondazhit të organizatës drejt 26 mijë manaxherëve, humori i biznesit në lidhje me kushtet aktuale ka arritur një nivel rekord, ndërkohë që 54% të firmave raportuan kushte optimale, 40% u përgjigjën se janë të kënaqura dhe vetëm 6% nuk ishin optimiste.
Në lidhje me kërcënimet më të mëdha në të ardhmen, shumica e kompanive theksuan mungesën e punës së kualifikuar dhe rritjen e kostove të punës. Ky projeksion optimist erdhi përpara se Zyra Federale e Statistikave të publikonte rënien aktivitetit të fabrikave gjatë Dhjetorit.
Prodhimi industrial ra me 0.6% gjatë muajit, krahasuar me një rritje prej 3.1% gjatë Nëntorit dhe gjithashtu poshtë vlerësimeve të analistëve. Sipas të dhënave, fabrikat kanë prodhuar më pak mallra kapitale dhe të konsumit, ndërkohë që kanë rritur prodhimin e mallrave të ndërmjetëm.
Megjithatë, sipas analistëve, perspektiva është optimiste, ndërkohë që porositë industriale për Dhjetorin janë rritur me 3.8%, duke treguar për një rimëkëmbje në fillim të vitit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.