Tërmeti i shtatorit- Sigurimet nuk u rritën as në tetor, ndërsa dëmet po!
As tërmeti i 21 shtatorit nuk solli ndonjë ndërgjegjësim në rritje te shqiptarët për të siguruar pronat nga fatkeqësitë natyrore. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se edhe për muajin tetor primet e sigurimit për mbrojtjen nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore pësuan sërish rënie. Për tetorin, primet në këtë kategori kishin vlerën e 68 milionë lekëve, 10% më pak krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. Për gjithë 10-mujorin e këtij viti, shqiptarët shpenzuan vetëm 950 milionë lekë ose 7.7 milionë euro për të siguruar pronat e tyre. Në terma mesatarë, kjo nënkupton një prim prej më pak se tre euro për frymë, shumë kjo jashtëzakonisht e ulët, edhe po të kemi parasysh shkallën e konsiderueshme të ekspozimit ndaj fatkeqësive natyrore. Përveçse është zonë sizmike, në rajone të veçanta Shqipëria ngelet mjaft e ekspozuar edhe ndaj rrezikut të përmbytjeve. Por, pavarësisht të gjithave, mbrojtja përmes mekanizimit të sigurimit është ende tejet modeste. Edhe sigurimet që kryhen, në pjesën më të madhe, bëhen në formë praktikisht të detyrueshme, sepse bankat kërkojnë domosdoshmërisht sigurimin e kolateraleve për kreditë e garantuara përmes tyre.
Nga ana tjetër, dëmet e paguara në këtë kategori kanë regjistruar një rritje të fortë gjatë muajit tetor. Statistikat e AMF-së tregojnë se kompanitë paguan 99 milionë lekë dëme gjatë tetorit, gati pesë herë më shumë krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. Mund të supozohet se kjo rritje është të paktën pjesërisht e lidhur me dëme të shkaktuara nga tërmeti i fundit të muajit shtator. Megjithatë, konkluzionet janë të vështira, sepse duke qenë një treg mjaft i vogël, edhe pak ngjarje të veçanta sigurimi mund të krijojnë diferenca të mëdha mes muajve në vlerën e dëmeve të paguara. Fatura vërtet e konsiderueshme për kompanitë e sigurimeve për kompanitë pritet të vijë pasi të jenë regjistruar dëmet e tërmetit të 26 nëntorit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.