“Tërmeti”, Ministria e Mbrojtjes publikon kontaktet për grumbullimin e ndihmave
Ministria e Mbrojtjes ka publikuar listën e kontakteve për grumbullimin e ndihmave. Në deklaratën e ministres së mbrojtjes evidentohet nevoja e koordinimit për ndihmat ashtu sikurse edhe për punën që do të bëhet për procesin e rikonstruksionit dhe ndërtimit të banesave të dëmtuara.
“Çdokush që dëshiron të kontribuojë është i ftuar që ta kanalizojë donacionin përmes Rezervave të Shtetit dhe Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura, përmes numrave të mëposhtëm:
04 22 22 223/ 04 22 28 250 dhe 0688046664.
Deklarata e plotë:
Të dashur qytetarë,
siҫ e keni ndjekur edhe nga komunikimet tona dhe nga mbulimi në media, situata e shkaktuar nga tërmeti vazhdon të jetë serioze. Vazhdon ende puna e kërkim shpëtimit, ka filluar puna nga grupet e verifikimit dhe qytetarët duhet të bëjnë durim e të tregojnë gjakftohtësi derisa situata të stabilizohet.
Por këto ditë tensioni e ankthi, kanë qenë po ashtu ditë të një solidariteti e bujarie të jashtëzakonshme. Sado e madhe fuqia e natyrës, solidariteti i shqiptarëve dhe partnerëve tanë ka qenë akoma më i madh, është një ndihmë që ka një vlerë shumë më të madhe sesa thjesht vlerat monetare apo materiale që po dhurohen, sepse mbi të gjitha është një solidaritet që jep shpresë e besim. Ҫdo qytetar duhet ta dijë që nuk është vetëm e nuk do të lihet vetëm.
Aktualisht, përveҫ ndihmës që ka vërshuar nga qytetarë shqiptarë nga ҫdo anë e Shqipërisë, Kosovës dhe botës, kemi pasur një solidaritet të jashtëzakonshëm edhe nga partnerët, nga shtete të ndryshme përmes marrëdhënieve tona dypalëshe dhe po punojmë për të aktivizuar mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian dhe NATO, ҫka do të ishte një ndihmë e madhe në menaxhimin e pasojave të tërmetit.
Thirrja ime ju drejtohet të gjithë qytetarëve, shoqatave e bizneseve, që duan të ndihmojnë.
Vërshimi i ndihmave, donacioneve e dhuratave, ofertave për ndihmë e punë vullnetare është aq i madh, saqë në këtë moment bëhet e domosdoshme që kjo ndihmë të koordinohet e të organizohet për të qenë sa më efikase.
E kuptojmë dhe i falënderojmë të gjithë ata aktorë që nisur nga dëshira e mirë, nga dëshira për të bërë diҫka për bashkëqytetarët e tyre në këto orë dramatike, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të mbledhur ndihma e donacione. Por që këto ndihma te shkojnë në destinacionin e duhur, t’u shkojnë me nevojtareve, që të ketë një prioritizim të nevojave sipas situatës në terren, në fshatra, qytete, lagje apo familje të ndryshme, është e domosdoshme që ato të kanalizohen përmes Shtabeve të Emergjencës ngritur pranë prefekturave dhe Emergjencave Civile.
Pavarësisht dëshirës së mirë, rrëmuja dhe konfuzioni, në këto momente jo vetëm që nuk ndihmojnë dhe nuk kanë impaktin e dëshiruar, por rrezikojnë të kenë efektin e kundërt.
Prandaj, ҫdokush që dëshiron të kontribuojë është i ftuar që ta kanalizojë donacionin përmes Rezervave të Shtetit dhe Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura, përmes numrave të mëposhtëm:
04 22 22 223
04 22 28 250
dhe 0688046664
Këto numra janë në dispozicion të qytetarëve 24 orë, 7 ditë të javës për të koordinuar ndihmën, por edhe për t’ju adresuar në pikat e posaçme që po ngrihen në të gjitha qytetet kryesore.
Gjej rastin këtu, të falënderoj bankat e nivelit të dytë, që nga sot, kanë hequr komisionet për ҫdo donacion apo transfertë vullnetare që shkon në fondin për përballimin e tërmetit.
Dhe gjej po ashtu rastin, t’ju kërkoj kompanive të telefonisë që të na ndihmojnë duke ju dërguar abonentëve të tyre nga një sms me këto pika kontaktesh dhe adresa ku mund të dorëzojnë donacionin e tyre, qoftë ky monetar, apo material, qofshin këto mallra ushqimore, mjekësore, veshmbathje, apo lodra për fëmijët e ҫfarëdo tjetër.
Mediat janë duke bërë tashmë një punë të jashtëzakonshme në këtë drejtim dhe dua t’i falënderoj shumë për gjithҫka kanë bërë gjatë këtyre ditëve e t’i ftoj ta vazhdojnë këtë fushatë orientuese, që realisht po na ndihmon shumë.
Në këto momente, ne kemi nevojë për ҫdo ndihmë që mund të na jepet. Sot, kemi nevojë për logjistikë, strehim, ushqime e veshmbathje.
Por nevoja reale, sfida e vërtetë do të jetë ajo e rindërtimit. E di nga informacioni e komunikimet e shumta që kam pasur, që ka shumë biznese, sidomos ato të ndërtimit apo studiot inxhinierike e të arkitekturës dhe shumë biznese të mëdha e të suksesshme, që duan të ndihmojnë në këtë fazë të dytë të përballimit të pasojave të tërmetit.
I falënderoj të gjithë dhe i ftoj edhe njëherë të kontaktojnë në numrat 04 22 22 223, 04 22 28 250 dhe 0688046664
Kërkesa jonë për ta në këtë moment, kur është e pamundur që të përdorim ndihmën që ata ofrojnë, është që të depozitojnë pranë shtabeve tona angazhimet e tyre në formën e kontratave të premtimit të detajuara me donacionet e ofruara, në mënyrë që edhe ne të mund të katalogojmë, listojmë dhe organizojmë këtë ndihmë kaq jetike për ҫdo familje të prekur nga kjo tragjedi e rëndë.
Është shumë e rëndësishme, që kushdo dëshiron realisht të ndihmojë, të dëgjojë e t’i bashkohet kësaj thirrje që do të na lejojë të përdorim me efikasitet e impakt maksimal dhe transparencë të plotë ҫdo qindarkë që do të mblidhet si rezultat i kësaj fryme të jashtëzakonshëm solidariteti.
Në mbyllje, dua të informoj të gjithë banorët e qytetit të Durrësit Thumanes e të zonave të tjera të prekura për një mundësi shumë të mirë strehimi që është arritur të sigurohet përmes një marrëveshje kontraktuale afatgjatë të lidhur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit me hotelet më të mira në vend, në Durrës, Tiranë, Vlorë etj.
Duke pasur parasysh dimrin që po afron, motin e ftohtë e sidomos reshjet e duke pasur parasysh sesa e vështirë do të bëhet qëndrimi në ҫadra, sidomos për familjet me fëmijë e mosha të moshuara, do t’i ftonim qytetarët që aktualisht janë të strehuar në ҫadra në stadiumi e Durrësit që të zhvendosen për t’u strehuar në një nga këto njësi akomodimi, ku do të kenë jo vetëm kushte shumë më cilësore jetese, por edhe ushqim.
Aktualisht, janë mbi 100 qytetarë që po transferohen teksa flasim, nga stadiumi “Niko Dovana” në Durrës drejt këtyre strukturave hoteliere, por, në total janë në dispozicion 1500 shtretër për të gjithë ata banorë që janë për t’u zhvendosur.
Në një tjetër akt solidariteti, për të cilin dua t’i falënderoj nga zemra, shumë kompani transporti, por edhe shoferë e pronarë mjetesh individuale, furgonë e autobusë, janë ofruar të ndihmojnë me zhvendosjen e këtyre qytetarëve.
Ritheksoj edhe njëherë se, nr e kontaktit 24 orë në 7 ditë të javës janë 04 22 22 223, 04 22 28 250 dhe 068 80 46 664, për të adresuar dërgimin e ndihmave aty ku duhet.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.