Tesla, “Made in China” – Nis dërgesat e makinave të prodhuara në Shangai
Dërgesat e para të modelit 3 të Tesla të prodhuar në Kinë nisën këtë javë, 1 vit pasi kompania nisi ndërtimin e fabrikës gjigante në Shangai, që është edhe e para jashtë Shteteve të Bashkuara.
Dërgesa përbën një sukses për kompaninë, që po përpiqet të përfitojë një pjesë të tregut më të madh të makinave në botë.
Prodhuesi amerikan synon gjithashtu që kjo lëvizje të heqë një barrë financiare të shkaktuar nga tarifat tregtare.
Tesla deklaroi se linja e prodhimit në fabrikën në Kinë do të ketë një kapacitet prej 150,000 makinash në vit.
Kompania deklaroi gjithashtu se do të jetë një version i linjës së prodhimit të modelit 3, më i thjeshtë dhe me më pak kosto se në fabrikën në SHBA.
Përpara modelit 3 “made in China”, çmimi i një makine të këtij modeli të Tesla qëndronte në 63,000 dollarë për tregun kinez.
Tashmë, çmimi i makinës së prodhuar në Shangai, nis nga 52,000 dollarë. Në raportin financiar, Tesla bëri të ditur se Kina mund të kthehet në tregun më të madh për modelin 3.
Tesla nënshkroi një marrëveshje me bashkinë e Shangait në Korrik 2018 për të ndërtuar fabrikën. Në Tetor 2018, kompania mori miratim për të përdorur 86 hektarë në Lingang për fabrikën.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.