Testime për sëmundjet – ISHP jep 13.9 mln lekë për kite dhe reagentë për HIV,HPV, HEP
Rreth një mijë persona në vendin tonë janë të infektuar me virusin HIV sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik. Numri i personave të infektuar me këtë virus ka patur një trend rritës nga viti në vit.
Zyrtarisht në Shqipëri janë të regjistruar 984 persona të infektuar me HIV/AIDS, por dyshohet se kjo shifër është edhe më e lartë, deri në mbi 1400 të prekur. Institucionet përkatëse kryejnë fushat të ndryshme informuese dhe ndërgjegjësuese në grupet e popullatës për parandalimin e këtij virusi.
Në të gjithë vendin tonë janë 14 qendra të këshillit dhe testimit vullnetar, si një formë parandaluese. Instituti i Shëndetit Publik ka hapur procedurat për “Blerje materiale dhe kite për kërkim dhe diagnostikim për laboratorin e biologjisë molekulare dhe HIV, HEP, HPV”.
Vlera e blerjes së këtyre materialeve është 13.9 milionë lekë pa TVSH. Afati i skadencës së produkteve do të jetë 6 – 8 muaj nga momenti i lëvrimit në magazinat e ISHP-së, ndërkohë që fituesi do të shpallet më 8 shtator.
Me anë të këtyre kiteve do të realizohen testime për HIV, hepatitet e ndryshme si dhe për kancerin e qafës së mitrës. Edhe hepatiteve dhe kancerit të qafës së mitrës në vendin tonë i është kushtuar një rëndësi e veçantë për parandalimin apo trajtimin e tyre.
Hepatiti B dhe C shpërndahen me anë të gjakut apo në rrugë seksuale dhe nëse nuk trajtohen në kohë mund të shkaktojnë vdekjen. Në vendin tonë 6 në një mijë persona mund të jenë të prekur me hepatitin B ndërsa rreth një për qind e popullsisë është e prekur nga hepatiti C.
Kanceri i qafës së mitrës është një nga llojet më vdekjeprurëse të kancerit tek femrat, por mund të trajtohet shumë lehtë nëse zbulohet herët.
Kanceri i qafës së mitrës shkaktohet zakonisht nga Human Papilloma Virus (HPV), i cili transmetohet nëpërmjet rrugëve seksuale.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.