Thatësira paralizon Italinë – Tokat po thahen dhe uji po mbaron, mbi 2 mld euro dëme
Dy e treta e Italisë është paralizuar nga thatësira dhe dëmet e javëve të fundit i tejkalojnë 2 miliardë euro, tregon një analizë e fundit. Të paktën 10 rajone të Italisë, nga veriu në jug pritet që shumë shpejt të bëjnë kërkesë për shpalljen e gjendjes së emergjencës.
Për ndërmarrjet, gjendja e emergjencës përkthehet në një sërë përfitimesh të përkohshme, deri në momentin që do ta kalojë faza e vështirë dhe do të hiqet gjendja e emergjencës, si aksesi në fondin për riparimin e dëmeve, bllokimi i pagesës së kontributeve e madje edhe pezullimi i përkohshëm i pagesës së kësteve të huasë. Bëhet fjalë vetëm për sipërmarrjet që operojnë në sektorin agro-bujqësor. Situata në Itali është dramatike në disa vende.
Në Romë po mbaron uji, dhe tashmë është dhënë alarmi. Nëse gjendja nuk do të përmirësohet, shumë shpejt qyteti do të mbetet pa ujë, paçka se kryeqyteti i Italisë karakterizohet nga burime të shumta ujore dhe një rrjet i përsosur i furnizimit me ujë. Liqeni i Gardës është i mbushur me ujë në vetëm 34.4% të volumit, ndërkohë që lumi Po është 3.5 metra nën nivelin e zeros hidrike.
Në disa rajone të tjera, regjistrohet një rënie me 20% e barit në dispozicion për gjedhët. Praktikisht, Italia është paralizuar nga thatësira, nga veriu në jug. Në Sardegna, 4 mijë ndërmarrje kanë mbetur pa ujë, ndërkohë që në Siçili dëmet shkojnë në mbi 300 milionë euro, dhe rezulton deri më tani, rajoni më i goditur nga katastrofa natyrore.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.