The Guardian: Rreziku i marrëveshjes amerikane për Kosovën, “gjeopolitik delikate”
Presidentët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë këtë muaj, pasi Donald Trump synon të bëjë një përparim në mosmarrëveshjen e gjatë midis dy kombeve.
Takimi, i paralajmëruar këtë javë nga i dërguari i diskutueshëm për Ballkanin, Richard Grenell, erdhi si një surprizë për kryeqytetet evropiane dhe ngriti shqetësime në disa vende se një marrëveshje e nxituar midis Beogradit dhe Prishtinës mund të përfshijë një shkëmbim territoresh që mund të ketë efekte të paparashikueshme.
“Nëse, kjo iniciativë do të sjellë sukses, do të jetë një shuplakë në fytyrë për BE-në dhe përpjekjet e saj shumëvjeçare për të normalizuar marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës,” tha Corina Stratulat, e Qendrës për Politikë Evropiane në Bruksel.
Serbia ende e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj. Republika e Kosovës u shkëput pas një fushate bombardimesh nga NATO në 1999 kundër Serbisë dhe shpalli pavarësinë në 2008. Një marrëveshje e mundshme mund të hapë rrugën për tregti, njohje të ndërsjellë dhe pranim eventual në BE për të dy vendet.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të martën konfirmoi se do të marrë pjesë në bisedime dhe tha: “Kosova nuk ka kohë për të humbur, nuk ka kohë për të ngecur ose për të hezituar, ne duhet të lëvizim sa më shpejt drejt perspektivës për t’u bërë pjesë e Kombeve të Bashkuara, NATOS-s dhe BE-së.”
Grenell ndërkohë luajti idenë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. “Siç kemi thënë vazhdimisht, së pari duhet të bëjmë përparim në rritjen e ekonomive. Ky është fokusi,” shkroi ai në Twitter.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjithashtu tha të martën se bisedimet do të ishin kryesisht lidhur me ekonominë dhe shtoi se Serbia dëshironte të angazhohej si me SHBA ashtu edhe me BE për të gjetur një zgjidhje. “Ne nuk do të luftojmë me Gjermaninë apo Amerikën,” tha Vuçiç. “Është e rëndësishme që në betejën mes elefantëve ne të mbetemi të padëmtuar.”
Roli i Grenell, një besnik i Trump, ka qenë i diskutueshëm. Në prill, kryeministri i rrëzuar i Kosovës Albin Kurti akuzoi të dërguarin amerikan se nxiti një grusht shteti për shkak të skepticizmit të tij mbi një marrëveshje të mundshme. Kurti tha se Grenell nuk ishte i interesuar për përmbajtjen e një marrëveshje, por vetëm “nënshkrimin në fund të letrës”, e cila mund të paraqitet si një sukses për Trump-in në një vit zgjedhor.
“Qeveria ime nuk u rrëzua për asgjë tjetër, por thjesht sepse ambasadori Grenell ishte me nxitim për të nënshkruar një marrëveshje me Serbinë,” tha Kurti në prill.
Molly Montgomery, një këshilltare e Shtëpisë së Bardhë për Zëvendës Presidentin Mike Pence, tha se ishte e vështirë “ta besonte 100%” insistimin e Grenell që bisedimet në Shtëpinë e Bardhë do të ishin thjesht për ekonominë. “Në kontekstin e Kosovës dhe Serbisë, çështjet ekonomike shpesh janë të lidhura me çështje politike, siç na e tregon dhe e kaluara,” tha ajo. Ajo gjithashtu vuri në dukje se BE-ja ishte “tërhequr tërësisht” nga bisedimet. Pas njoftimit të bisedimeve, Grenell sulmoi në Twitter, Carl Bildt, ish-kryeministrin suedez dhe kryetarin e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, i cili kishte kritikuar vendimin për të anashkaluar BE-në.
Të martën, i dërguari i sapoemëruar i BE për bisedimet e paqes, ish-ministri i jashtëm Sllovak Miroslav Lajčák, u nis për në Beograd dhe Prishtinë, në atë që dukej si loja e BE-së. Ian Bancroft, i cili punoi për BE në veri të Kosovës, tha se dialogu i udhëhequr nga BE kishte arritur shumë suksese, por kishte bërë pak përparim në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, duke e bërë Prishtinën të përkulshme ndaj vullnetit të SHBA. “Kosovës i është refuzuar madje edhe liberalizimi i vizave, kështu që të gjithë flasin për një perspektivë evropiane të zbrazët,” tha ai.
Ai vuri në dukje, megjithatë, që të dy palët do të ishin të vetëdijshme se afati kohor i nxituar, i kombinuar me perspektivat e pasigurta të zgjedhjeve të Trump, i bën minimale perspektivat për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të realizueshme. “Një administratë e Biden do të kishte një qëndrim shumë të ndryshëm mbi çështjen e Kosovës,” tha Bancroft.
Një shenjë tjetër që tregon delikatesën e këtyre marrëdhënieve gjeopolitike është se, brenda disa orësh nga njoftimi i Grenell të hënën, Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, i telefonoi Vuçiçit për t’i kujtuar atij se çdo marrëveshje duhet të aprovohej nga Këshilli i Sigurisë në OKB. Vuçiç ka luajtur një rol delikat balancimi vitet e fundit, duke iu falur BE-së dhe njëkohësisht duke mbajtur marrëdhënie të mira me Rusinë.
Moska është e kujdesshme ndaj një marrëveshjeje që mund të nënkuptojë se Serbia, një nga aleatët e saj të pakta në Evropë, po hap derën për rritjen e ndikimit të SHBA-së ose NATO-s. Vuçiç do të udhëtojë në Moskë për të takuar Putinin vetëm disa ditë para se të shkojë në Shtëpinë e Bardhë.
Dosti Banushi – SCAN
Burimi: The Guardian, shkrim nga Shaun Walker korrespondent i Evropës Qendrore dhe Lindore dhe Julian Borger, korrespodent në Uashington
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.