Thellohet deficiti – Rritja e eksporteve, e pamjaftueshme
Rritja e importeve po thellon deficitin tregtar të vendit gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për korrikun deficiti tregtar u zgjerua me 9% ndaj të njëjtit muaj të vitit të kaluar.
Për shtatë muaj, deficiti në këmbimin e mallrave arriti në 192 miliardë lekë, rreth tre miliardë lekë më shumë krahasuar me 7-mujorin e vitit 2016. Përcaktues në zgjerimin e deficitit është tendenca në rritje e importeve që për korrikun u rritën me 9.2%.
Në shtatë muaj, Shqipëria ka importuar mallra në vlerën e 350 miliardë lekëve, 6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Importet janë rritur për të gjitha grupmallrat dhe kjo rritje uniforme tregon se kërkesa e brendshme në ekonomi është në përmirësim.
Ndërkohë, edhe ecuria e eksporteve vazhdon të jetë pozitive, pavarësisht se kjo nuk ka mjaftuar për të ngushtuar deficitin tregtar të vendit. Për korrikun, eksportet u rritën me afro 10% me bazë vjetore.
Në shtatë muaj, eksportet shqiptare kanë arritur në 158 miliardë lekë, 13% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Eksportet po udhëhiqen bindshëm nga aktiviteti i fasoneve.
Grupi “tekstile dhe këpucë” përbën mbi 44% të totalit dhe po ruan një ecuri të konsoliduar gjatë viteve të fundit. Për 7-mujorin, eksportet e këtij grupi janë rritur me afro 9%.
Ndërkohë, grupi tjetër me rëndësi për ecurinë e eksporteve në vitet e fundit “minerale, lëndë djegëse, energji”, ende nuk po arrin të kthehet në ritme domethënëse të rritjes.
Për korrikun, eksportet e këtij grupi pësuan rënie, ndërsa për 7-mujorin ato ruajnë një rritje të lehtë kundrejt vitit të kaluar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.