Thellohet kriza e euros, bie në 126.6 lekë – Dollari amerikan rritet ndjeshëm
Kur mendohej se rënia e euros në tregun vendas të këmbimit valutor po ndalej dhe do t’i rikthehej rritjes, euro ka treguar se nuk njeh fund kur vjen puna tek kriza. Valuta e përbashkët europiane ra me plot 0.4 pikë kundrejt lekut, për të mbërritur në 126.6 lekë në shitje dhe 127.3 lekë në blerje, një tjetër rekord negativ.
Tashmë që nga fillimi i vitit, vlera e euros është zhvlerësuar me 6,6%, ose 7.4 lekë.
Tjetër histori për dollarin amerikan, i cili sot ka fituar plot 0.8 pikë ndaj lekut, duke mbërritur në kuotën e 107 lekëve, pasi kishte prekur nivelin e 104 lekëve vetëm dy javë më parë. Forcimi i valutës është një kombinim faktorësh: që nga paqja mes dy Koreve, të dhënat e ekonomisë së SHBA, rritja e prodhimit të naftës dhe rivendosja e mundshme e sanksioneve ndaj Iranit.
Në rritje është shfaqur sot edhe paundi britanik, i cili ka fituar 0.3 pikë ndaj lekut. Megjithatë stërlina është ende larg niveleve të muajit të kaluar, kur mbërriti në 149.5 lekë. Tashmë kjo valutë fiksohet në 144.5 lekë në blerje dhe 145.5 lekë në shitje.
Sa i takon valutave të tjera, dollari australian u zhvlerësuar me plot 0.7 pikë ndaj lekut krahasuar me ditën e martë, dollari kanadez qëndroi i pandryshuar, ndërsa franga zvicerane u rrit me 0.4 pikë për të mbërritur në kuotën e 106.4 lekëve.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.