Theresa May në rrezik me Brexit ditën e zgjedhjeve europiane
Kryeministrja Theresa May ende nuk ka caktuar një datë për largimin e saj nga detyra si pasojë e dështimit të saj në tentativën e fundit e Brexit. Duke treguar edhe një herë se Mbretëria e bashkuar vazhdon të mbetet e përçarë në lidhje me ‘divorcin’ e saj me BE-në.
‘Labirinti’ Brexit ka habitur njësoj si aleatët ashtu edhe kundërshtarët dhe me një situate të bllokuar në Londër, ekonomia e pestë më e madhe në botë po përballet me një sërë opsionesh ndër të cilat; një dalje të rregullt me marrëveshje, një dalje pa marrëveshje ose një zgjedhje/referendum të dytë.
May, e cila fitoi pozicionin kryesor në trazirat që pasuan me referendumin e Brexit të vitit 2016, dështoi në mënyrë të përsëritur të merrte miratimin e parlamentit për një marrëveshje ‘divorci’ të cilën ajo parashtroi si një mënyrë për të rregulluar disi ndarjet që Brexit solli në vend. Por ndërhyrja e saj e fundit, duke ofruar perspektivën e një referendumi të dytë dhe disa dispozita tregtare më të ngushta me BE, shkaktoi një revoltë tek disa ministra mbështetës të Brexit, duke përfshirë dorëheqjen e Andrea Leadsom të mërkurën. Sipas BBC pritet që edhe ministra të tjerë të japin dorëheqjen.
“Unë nuk besoj më që qasja jonë të japë rezultatin e referendumit,” tha Leadsom, dikur kundërshtar i May për t’u bërë kryeministër, në letrën e tij të dorëheqjes.
May kishte premtuar se do të linte pozicionin e saj nëse ligjvënësit do të aprovonin marrëveshjen e saj të Brexit, por tashmë është nën presion të lartë për të caktuar një datë fikse.
Gati tre vjet pasi Mbretëria e Bashkuar votoi 52% me 48% në referendum për të lënë BE, mbetet e paqartë se si, kur apo edhe nëse do të largohet nga klubi europian të cilit ju bashkua në vitin 1973. Afati i tanishëm për t’u larguar është 31 tetor. Vonesa për Brexit do të thotë se votuesit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar do të shkojnë në votime të enjten në një zgjedhje parlamentare europiane, ku është luftuar pothuajse ekskluzivisht vetëm mbi ‘divorcin’ me BE.
Sipas të dhënave të sondazheve të publikuara para votimit të hapur, Partia e Brexit e Nigel Farage ishte në rrugë për të fituar ndërsa konservatorët e May janë në rrugë të mirë për të humbur. Rezultatet priten pas të dielës pas orës 21:00.
Burimi: Reuters
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.