Thyerja e rregullave gjatë shtetrrethimit – Policia: Janë vendosur mbi 3 milion lekë gjoba
Policia e Shtetit ka njoftuar se si pasojë e thyerjes së rregullit të vetëkarantinimit dhe qarkullimit me mjet pa autorizimin përkatës, ka gjobitur me vlerën 700.000 lekë 29-vjeçarin B.D., 29 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec.
Ky shtetas, më datë 06.03.2020 është kthyer nga Italia dhe është njoftuar nga specialisti i Policisë së zonës për vetëkarantinim 14-ditor, për shkak se vinte nga një zonë e prekur nga virusi COVID-19, gjë të cilën nuk e ka respektuar, shkruhet në njoftim.
Shtetasi i mësipërm është kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore në aksin Pogradec-Rëmenj, duke lëvizur me mjetin e tij tip “Volkswagen Passat” dhe në zbatim të Aktit Normativ ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″, ndaj këtij shtetasi u bë tërheqja e lejes së drejtimit, bllokimi i automjetit si edhe u ndëshkua me masën administrative në vlerën 700.000 lekë, njofto Policia.
Gjithashtu në kuadër të vendimeve të ndërmarra si pasojë e situatës të krijuar në vend prej rrezikut të përhapjes së COVID’19 dhe më konkretisht “Mos lejimin e grumbullimeve në ambjentet e hapura dhe të mbyllura”, janë konstatuar lokale të hapura në qytetin e Vlorës ndaj të cilave janë ndërmarrë masat administrative të mëposhtme:
- Lokali nën administrimin e shtetasit E.F., 54 vjeç, me emërtimin “Bar-kafe”, në lagjen “1 Maji” Vlorë, ka marrë masë administrative 100 000 lekë.
- Lokali nën administrimin e shtetasit R.S., 56 vjeç, me emërtimin “Bar-kafe”, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, ka marrë masë administrative 100 000 lekë.
- Lokali nën administrimin e shtetasit J.S., 33 vjeç, me emërtimin “Bar-kafe”, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, ka marrë masë administrative 100 000 lekë.
Për të tre këta shtetas u përpiluan proces–verbalet mbi kundravajtjen administrative, për shkelje të pikës 7, neni 3, të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.
Njëkohësisht u përpilua proces–verbali mbi kundravajtjen administrative, pasi shtetasi G.K., 38 vjeç, nuk ka zbatuar urdhrin e dhënë nga organet kopetente për ndalimin e lëvizjes për këmbësorët sipas orarit të përcaktuar, ku masa administrative kundrejt tij është 10 000 lekë, ka njoftuar Policia.
Policia apelon edhe njëherë për të gjithë ata shtetas që janë njoftuar për vetëkarantinim që të zbatojnë me rigorozitet këtë detyrim në të mirë të shëndetit të tyre dhe njerëzve të tjerë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.