“Tirana Art Fest” hap audicionet për gjimnazet e kryeqytetit – 3 disiplinat ku do performojnë
Rikthehet për të tretin vit radhazi “Tirana Art Fest”, një aktivitet i cili synon të nxisë dhe promovojë talentet e reja të shkollave të mesme. Të rinjtë nga të gjitha gjimnazet e Tiranës nga mosha 15 deri në 19 vjeç do të performojnë në tre disiplina të ndryshme që përfshijnë muzikën, kërcimin dhe multimedian.
Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi “Tirana Art Fest” si një mundësi për të zbuluar talente të rjea dhe për të mbështetur të rinjtë. Ndërkohë, ekipi i jurisë së këtij evenimenti përfaqësohej nga Bojken Lako, Mariza Ikonomi, Shpend Bengu, Gerd Vaso dhe artistë të tjerë.
Veliaj shtoi më tej se historitë e vërteta të suksesit në Shqipëri janë ato të të rinjve të Tiranës të cilët arrijnë të bëjnë realitet ëndrrat e tyre me talent dhe punë.
“Ne pamë para disa ditësh një histori suksesi të një djali të ri që vinte nga Shqipëria, quhej Ermal Meta. Historia e tij nuk ishte historia e dikujt që mami e babi ia kishin shtruar rrugën, as historia e dikujt që iu shtrua tapeti i kuq sa vajti në Itali, as historia e dikujt që iu hap dera sa herë trokiti. Përkundrazi, ishte historia tipike e një emigranti, e një djali të ri e të panjohur, pa lidhje partie, mbiemri, pa lidhje shoqërie, dhe pa të gjithë ato strukturat e tjera që ndoshta dikujt ia bëjnë disi më të lehtë jetën, e megjithatë ia doli që të fitonte “Sanremo”-n”, u shpreh Veliaj.
Vitin e kaluar në “Tirana ART Fest” morën pjesë 300 të rinj të talentuar nga shkolla të ndryshme të Tiranës, ku shumë prej tyre janë tashmë pjesë e tregut artistik.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.