Tirana Bank shitet për 57.3 mln euro – Blerësit janë Balfin dhe banka më e madhe maqedonase
Grupi Bankar i Pireut njoftoi zyrtarisht të martën arritjen e marrëveshjes për shitjen e Tirana Bank te grupi Balfin dhe banka maqedonase Komercijalna Banka. Sipas njoftimit zyrtar të grupit bankar grek, për 98.83% të aksioneve blerësit do të paguajnë 57.3 milionë euro.
Arritja e marrëveshjes u njoftua paralelisht edhe nga grupi Balfin dhe nga Komercijalna Banka. Mes të tjerash, banka maqedonase ka bërë të ditur se aksioneri kontrollues do të jetë grupi Balfin, por pa detajuar se cila është pjesa e aksioneve që do të mbajë secila palë.
Nga kjo mund të kuptohet se prania e bankës maqedonase mund të jetë diktuar nga nevoja që së paku njëri nga blerësit të ishte investitor strategjik. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar me këmbëngulje moslejimin e hyrjes së investitorëve pa përvojë në tregun bankar.
Edhe për shkak të kësaj influence, mund të hipotizohet se Banka e Shqipërisë e ka kushtëzuar dhënien e miratimit për blerjen me gjetjen e një investitori institucional si aksioner.
Balfin e ka gjetur këtë partner te banka më e madhe maqedonase, me të cilën grupi ka pasur marrëdhënie financimi për projektet që ka zbatuar në shtetin fqinj. Transaksioni do të finalizohet pasi të ketë marrë miratimet nga autoritetet rregullatore përkatëse në Greqi dhe Shqipëri.
Oferta për blerjen e Tirana Bank kishin bërë edhe ABI Bank, Union Bank dhe banka libaneze Libank. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në mesin e këtij viti Tirana Bank ishte banka e shtatë më e madhe në Shqipëri, me 5.3% të aktiveve të sistemit bankar.
Dikur banka e katërt më e madhe në Shqipëri, Tirana bank vuajti pasojat e krizës në dekadën e fundit, çka solli rënie të vazhdueshme të pjesës së saj të tregut. Fokusi i bankës ka qenë kryesisht ulja e nivelit tejet të lartë të kredive me probleme, sidomos në segmentin e korporatave.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.