Tirana, destinacioni më i preferuar për udhëtimet e brendshme! Për udhëtimet jashtë kryesojnë Greqia, Kosova e Italia
Në vitin 2020, destinacionet më të preferuara për udhëtime për qëllime personale apo biznesi në Shqipëri janë qarqet: Tiranë (26,3 %), Vlorë (16,1 %), Durrës (14,0 %) dhe Korçë (8,9 %).
Në udhëtimet e kryera jashtë Shqipërie përqindjet më larta janë regjistruar në: Greqi (2,1 %), Kosovë (2,0 %) dhe Itali (1,7 %). Të dhënat janë publikuar nga Instituti i Statistikave.
Akomodimi/ Hotel apo apartament?
Lloji më i shpeshtë i akomodimit në vitin 2020, është “të qëndruarit tek të afërmit apo miqtë”, ndjekur nga kategoria “hotel” dhe “ambiente akomodimi me qira” apo “shtëpi ose apartamente të dyta për pushime”. Në vitin 2020 vërehet rritje për kategorinë “hotel” rreth 9,6 pikë përqindje, ndërkohë ulje është regjistruar për kategorinë “qëndrim tek të afërmit ose miqtë” me 16,9 pikë përqindje.
Për të gjitha llojet e udhëtimeve të kryera brenda dhe jashtë Shqipërisë, në vitin 2020 pesha më e lartë sipas llojit të akomodimit është regjistruar për kategorinë “qëndrim tek të afërmit ose miqtë”, ndjekur nga kategoria “hotel”.
Makinat private, më të preferuarat për lëvizje
Rreth 3,1 milionë udhëtime janë kryer nëpërmjet transportit rrugor të cilët përbëjnë 96,4 % të të gjithë udhëtimeve të kryera në vitin 2020. Rritja më e lartë është regjistruar në transportin rrugor nëpërmjet makinave private me 15 pikë përqindje.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.