Tirana me ligj special, Veliaj takon Haradinajn: Bashkëpunim mes dy vendeve
Tirana do të ketë së shpejti një ligj të veçantë që i jep më shumë kompetenca dhe financa, si kryeqyteti i Shqipërisë.
Lajmi është bërë me dije nga kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku theksoi se në këtë aspekt, Tirana duhet të marrë eksperiencën e Prishtinës. Palët vunë theksin gjithashtu tek bashkëpunimi lokal midis dy vendeve.
“Kemi pasur gatishmërinë e kryeministrit Rama që Tirana, ashtu si Prishtina, duke qenë se i shërben më shumë qytetarëve se sa vetëm rezidentëve, pra atyre që vijnë çdo ditë në qytet për punësim, për arsim, për spitalet, për hipotekat, për shkollat, për gjykatat, do të thotë që ka nevojë për më shumë kompetenca, e sigurisht edhe më shumë financa. Kështu që, do të mbështetemi në projektligjin dhe në ligjin, sot të miratuar të qeverisë ‘Haradinaj’, si një model se çfarë mund të bëjmë edhe me një ligj special për Tiranën, si shumica e kryeqyteteve evropiane”, tha Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë.
“Për mua është një mundësi e mirë, jo vetëm me i pa ndryshimet që kanë ndodh në Tiranë, atë e shohim në qytet e në krejt bashkinë, por edhe për të dëgjuar për mënyrën se si kanë ndodhur këto ndryshme. Unë mësoj çdo ditë, mësoj nga punët e mira që i shoh. E përgëzova për këto arritje në Bashkinë e Tiranës sepse janë arritje të të gjithë shqiptarëve, është kryeqytetit ynë. Kur vijmë në Tiranë mburremi kur shohim arritje dhe i krahasojmë ato me kryeqytetet e vendeve të tjera”, deklaroi Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, shprehu gjithashtu vullnetin e qeverisë së tij për të rritur më tej bashkëpunimin në çështje konkrete, të cilat sjellin një përmirësim të jetës së qytetarëve shqiptarë në Kosovë dhe në Shqipëri.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.