Tiranë, skema mashtruese të TVSH dhe falsifikim vulash – Policia arreston 46-vjeçarin
Policia e Shtetit njoftoi se gjatë ditës së sotme, Sektori i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit ka arrestuar në kryeqytet një shtetas 46-vjeçar.
Sipas njoftimit shtetasi A.R, banues në Tiranë, ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Policia tha se shtetasi ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës ka vendosur për të, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Sipas njoftimit kjo nuk është hera e parë që personi në fjalë ndalohet pasi në bashkëpunim me disa të tjerë, është kapur dhe ndaluar më parë nga Policia, pasi ka siguruar të ardhura monetare nga ky aktivitet i paligjshëm.
Njoftimi i Policisë së Shtetit bëri me dije se materialet në ngarkim të tij u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.