Tiranë, TFA vazhdon kontrollet – Rekomandohen 13 masa disiplinore në Degën Doganore
Task Forca Antikorrupsion ka vazhduar ushtrimin e kontrollit në bazë të indiceve dhe ankesave të qytetarëve në platformën shqiperiaqeduam.al.
Sipas njoftimit Degën Doganore Tiranë është ushtruar kontroll lidhur me respektimin e kërkesave ligjore në sektorin e operacioneve doganore, bazuar në legjislacionin doganor në fuqi dhe kontratat e lidhura në përfundim të procedurave të prokurimit.
Nga kontrollet e ushtruara ka rezultuar se strukturat përgjegjëse të Degës së Doganës Tiranë nuk kanë respektuar procedurat dhe kërkesat e parashikuara në legjislacionin në fuqi për evidentimin, ndjekjen dhe ekzekutimin e vendimeve administrative të marra nga autoriteti doganor për vjeljen e detyrimeve doganore të akcizës dhe rikuperimin me forcë të borxhit doganor për periudhën Janar – Dhjetor 2018.
Praktika zhdoganimi u konstatuan se nuk administrojnë procesverbalin e kontrollit fizik, të formularit të rivlerësimit doganor, certifikatat e verifikimit të llojit të mallit dhe klasifikimit tarifor, fletë-analizat në mosrespektim të parashikimeve ligjore dhe nënligjore, si dhe të manualit “Mbi procedurat standarde të punës për kontrollin fizik bazuar në risk, të ngarkesave ose të mjeteve të transportit”.
Gjithashtu janë evidentuar edhe akte kontrolli jo të plota, pasi në to nuk janë pasqyruar rezultatet e plota të kontrollit fizik sipas kërkesave që përcaktohen në aktet nënligjore.
13 masa disiplinore janë rekomanduar: Fillimisht, masë disiplinore “pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë, përfshirë rritjen në shkallën e pagës për një periudhë deri në dy vjet” për kryetarin e Degës Doganore Tiranë, i cili ka qenë në detyrë në periudhën e konstatimit të shkeljeve si dhe për përgjegjësin e zyrës së kontrollit fizik, masë disiplinore “mbajtja deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në gjashtë muaj për 5 doganierë të kësaj dege si dhe për 2 specialistët e zyrës së rikuperimit me forcë të borxhit doganor dhe për specialistin pranë zyrës juridike, masë disiplinore.
Është marrë masë disiplinore “vërejtje me shkrim” për 3 doganierë pranë sektorit të operacioneve doganore dhe janë rekomanduar dhe 17 masa administrative, me qëllim përmirësimin e veprimtarisë së institucionit si dhe vendosjen e kësaj veprimtarie në kushtet e ligjshmërisë së plotë. Sipas njoftimit punonjësit e administratës shtetërore do të mbajnë përgjegjësi personale, administrative dhe penale në rast shkeljeje të ligjit apo abuzimit të detyrës. Për sa i përket institucioneve fokusi i punës duhet të jetë ofrimi i shërbimeve cilësore për qytetarët në kushtet e një veprimtarie të ligjshme dhe eficiente.
Strukturat e Policisë së Shtetit gjithashtu kanë pasur angazhim të plotë gjatë kësaj jave, të cilat kanë shënuar rezultate të mira në evidentimin dhe dokumentimin e veprave penale në fushën e korrupsionit. Në përfundim, janë evidentuar 11 vepra penale në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës dhe janë proceduar penalisht 29 autorë, nga të cilët janë arrestuar ose ndaluar 16 autorë si dhe janë proceduar në gjendje të lirë 15 autorë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.