Tjetër blerje energjie – Rritet ndjeshëm fatura, shpenzohen mbi 19 milion euro për nëntorin
Mbi 19 milion euro është vlera e shpenzuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për blerje energjie, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore përgjatë muajit nëntor. Kjo faturë është ndjeshëm më e lartë, në krahasim me muajin tetor, ku OSHEE shpenzoi 3.45 milion euro për blerje energjie.
Ndërkohë që, kjo mund të mos jetë vlera përfundimtare, duke qenë se në vazhdim mund të hapen edhe procedura të tjera për shkak të kërkesës për energji, që gjatë muajve të dimrit pëson rritje. Viti 2019 ka qenë i vështirë për operatorin e shpërndarjes për shkak të thatësirës së tej zgjatur, çka ka sjellë që për 10-mujorin të shpenzohen në total rreth 144.45 milion euro. Ndërkohë që, nëse i shtojmë dhe blerjen e fundit, atëherë fatura për 2019-ën shkon në 163.5 milion euro.
Rritja e blerjeve të energjisë, ka detyruar Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të kërkojë për herë të tretë ndryshime në afatet e likujdimit të faturave të blerjes së energjisë, ndërkohë që tashmë Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat për shqyrtimin e saj, teksa një pjesë e tregtarëve kanë kundërshtuar zgjatjen e këtij afati.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.