Tjetër kredi për energjinë – Ibrahmiaj: 50 milion euro për bursën e energjisë dhe ndarjen e OSHEE-së
Qeveria shqiptare do të marrë një kredi prej 50 mln eurosh për mbështetjen e sektorit energjetik. Marrëveshja e huasë është nënshkruar me Agjencinë Franceze për Zhvillim nga zv. Kryeministri Arben Ahmetaj dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila bëri me dije se ajo do të përdoret për funksionimin e bursës së energjisë, si dhe konsolidimin e kompanive të krijuara nga ndarja e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Ahmetaj u ndal te kriza energjetike, duke ripërsëritur faktin se biznesi i vogël nuk do të preket nga rritja e çmimit të energjisë.
Kjo është kredia e dytë në harkun kohor të pak muajve që merren për sektorin e energjisë në vend. Gjatë muajit tetor, ishte Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që mori një hua prej 70 mln euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që do të shkojë për financimin e projektit për reagimin ndaj krizës së shkaktuar nga COVID-19. Ky financim përbën një detyrim të drejtpërdrejtë për OSHEE-në, kundrejt BERZH-it , por në rast të pamundësisë për të shlyer detyrimet nga OSHEE-ja, detyrimet e kredisë do të duhet të paguhen nga buxheti i shtetit, mbështetur në marrëveshjen e nënshkruar të garancisë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.