Tjetër park fotovoltaik lundrues – Kompania norvegjeze ‘Statkraft’ dërgon aplikimin pranë MIE. Ja ku do të ndërtohet
Pas kërkesës së KESH për ndërtimin e parkut fotovoltaik lundrues mbi rezervuarin e HEC-it të Vaut të Dejës, një tjetër aplikim ka mbërritur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për ndërtimin e një impianti energjitik të këtij lloji.
Është pikërisht shoqëria “Statkraft Reneweables Albania” sh.p.k ajo që ka shprehur interesin për ndërtimin e një vepre të tillë energjitike nga burime të rinovueshme mbi rezervuarin e Banjës, në Qarkun e Elbasanit.
Në bazë të Nenit 15 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike që nuk janë objekt koncesioni” i ndryshuar, MIE deklaron se projekti i kompanisë norvegjeze është tejet inovativ, ndërsa, nuk bëhet ende e ditur vlera e investimit.
Sipas njoftimit të MIE, aplikimi ka ardhur në vijim të një Memorandumi mirëkuptimi mes Ministrisë dhe kompanisë norvegjeze ‘Statkraft AS’. Kjo e fundit është e pranishme në Shqipëri që prej vitit 2007. Aktualisht është duke zbatuar në vendin tonë projektin hidroenergjitik të Kaskadës së Devollit me hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.