Tjetër rast “Floyd” në SHBA – Policia qëllon pas shpine Jacob Blake, protestuesit djegin vendin
Autoritetet policore në Kenosha, “Wisconsin” në SHBA kanë qëlluar me armë zjarri mbrapa shpine një amerikan me ngjyrë, brenda makinës së tij, në të cilën mësohet se kanë qenë brenda edhe fëmijët e tij. Jacob Blake mësohet se u shtrua në spital në gjendje të rëndë, për t`u stabilizuar më tej. Ngjarja, dhe video e saj që kanë qarkulluar në media dhe në rrjet kanë nxitur protesta të tjera mjaft të dhunshme në vend, të ngjashme me ato të disa muajve më parë pas vrasjes së George Floyd nga autoritetet policore në Minnesota.
Gjatë mbrëmjes, protestuesit kanë djegur makina, koncesionarë makinash, dyqane, etj. Edhe makinat përballë gjykatës u dogjën thuajse të gjitha. “Gjithmonë këtu shkon puna. Duart lart, mos gjuaj, këtë bëjmë ne. Duart lart, mos gjuaj. Por çfarë rëndësie ka kjo? Sepse ne na gjuajnë sërish. Si ky i riu këtu të cilin e gjuajtën dhe ku është ai? Në spital. Sepse policia përdori dhunë të tepruar?,-shprehet një protestues dhe dëshmitar okular. Guvernatori i Wisconosin ndërkohë ka nxjerrë në rrugë Gardën Kombëtare për të marrë situatën nën kontroll si pasojë e protestave.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.