Tjetër tender për Kardhiq-Delvinë – ARRSH: Shtohen 2 segmente të rinj, rishikim projektit të tunelit
Pas nisjes së punimeve në lotin 4, 5 dhe 6 të aksit Kardhiq-Delvinë, Autortieti Rrugor Shqiptar ka hapur një tjetër tender, që ka si objekt hartimin e projektit për lotin 2, që përfshin pjesën nga fshati Shijan deri në hyrje të qytetit të Delvinës si dhe rishikimin e projektit për lotin 7, ku parashikohet të ndërtohet tuneli. Fondi limit i vënë në dispozicion është 20.2 mln lekë, ndërkohë që sipas dokumenteve të tenderit, për ta bërë ketë aks rrugor sa më të asksesueshëm dhe efiçent është i domosdoshëm projektimi i dy segmenteve të reja rrugore, përkatësisht ai Shijan-Ura e Gajdarit me gjatësi rreth 5.7 km dhe Shijan – hyrje qyteti Delvinë, me gjatësi 6.8 km, që përfshijnë pikërisht lotin 2.
Ndërkohë që, sa i takon tunelit, ARRSH argumenton se ai ka një gjatësi prej 1 km dhe projekti është hartuar në vitin 2008. Por përgjatë gjithë kësaj periudhe 10- vjeçare, mund të kenë ndodhur ndryshime si në kushtet e zbatimit te punimeve ashtu dhe për hapjen e tunelit dhe për kete arsye ka lindur si nevoje rishikimi i projektit. Aksi rrugor Kardhiq – Delvinë ka një gjatësi 33 km dhe përshkon rrethin e Gjirokastrës, Delvinës dhe Sarandës. Punimet për ndërtimin e tij nisën në vitin 2009, por deri më tani janë përfunduar rreth 16 km rruge dhe 14.5 km të tjerë janë në fazën e zbatimit të punimeve.
Ndërtimi i pjesës së mbetur nisi në datën 30 shtator, ndërkohë që sipas ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ajo do të përfundojë para vitit 2021 dhe do të mundësojë përshkrimin e aksit Tiranë-Sarandë në 3 orë. Financimi i këtij aksi do të bëhet nga buxheti i shtetit, ndërkohë që kosto totale për lotet 4, 5 dhe 6 kap vlerën e 6.56 mld lekëve.
Kosto e punimeve:
Loti 4 2.38 mld lekë
Loti 5 1.8 mld lekë
Loti 6 2.38 mld lekë
Totali 6.56 mld lekë
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.