“Tkurren” familjet e “pasura” – Vetëm 2 anëtarë, edhe shpenzimet bien
Të dhënat më të fundit nga Anketa e Buxhetit të Familjes, e publikuar nga Instituti i Statistikave në vend flasin për një ulje të nivelit të pabarazisë, sipas metodologjisë së decileve. Kjo metodologji tregon se, 90% e familjeve shpenzon 83.9% të konsumit total, ndërsa 10% e familjeve, 16.1% të konsumit total, me një shpenzim mesatar në 122 mijë lekë në muaj, në rënie të ndjeshme krahasuar me një vit më parë, kur kjo shumë fiksohej në 152 mijë lekë.
Rezulton se, shpenzimet mesatare për konsum të 10% më të pasur të familjeve janë 1.7 herë më të larta se ato të 90% tjetër. Vitin paraardhës kjo normë fiksohej në 2.4 herë. Pra rënia është e ndjeshme. Konsumi për frymë i 90 % të familjeve me shpenzimet më të ulëta është mesatarisht 20.294 lekë në muaj, ndërsa për 10 % të familjeve me shpenzimet më të larta fiksohet 60.987 lekë në muaj për frymë.
Raporti i decileve 10/90 është 3,0 herë më i madh, në favor të 10% të familjeve, nga 3.4 herë që ishte vitin paraardhës. Të dhënat tregojnë se në vitin 2018 ka pasur një ulje prej 19,6 % të shpenzimeve të 10 % të familjeve me shpenzimet më të larta dhe një rritje prej 9,5 % të shpenzimeve mesatare për konsum të 90 % tjetër, në krahasim me vitin 2017.
Pjesërisht, ulja e pabarazisë, pra rënia e shpenzimeve për 10% e familjeve me shpenzimet më të larta, shpjegohet me faktin se numri i anëtarëve për familje ka rënë ndjeshëm krahasuar me një vit më parë, nga 2.6 anëtarë, në vetëm 2.1 anëtarë në vitin 2018. Pra, familjet që shpenzojnë më shumë përbëhen mesatarisht nga vetëm dy anëtarë, çka justifikon disi rënien e shpenzimeve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.