Tkurret industria gjermane – Prodhimi bie poshtë projeksioneve për Qershorin
Prodhimi industrial në Gjermani ra më shumë se sa pritej në Qershor, gjë që tregon se fabrikat në ekonominë më të madhe të Europës e mbyllën tremujorin në ngadalësim.
Të dhënat e Ministrisë së Ekonomisë treguan se prodhimi industrial ra me 0.9%, duke kaluar projeksionet e analistëve. Kjo erdhi pas një rritjeje prej 2.4% në muajin Maj.
Në tremujorin e dytë, prodhimi industrial humbi 0.4%. Sipas të dhënave të detajuara, prodhimi në manifakturë ra me 0.8% dhe në ndërtim me 3.2% për muajin Qershor.
Nga ana tjetër, prodhimi në energji, u rrit me 2.9%. Zyra Federale e Statistikave do të publikojë të dhënat mbi rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto për tremujorin e dytë më vonë gjatë javës.
Analistët presin një rritje të ekonomisë me 0.4%, nga 0.3% që u regjistrua në fillim të vitit. Zyra e Statistikave bëri të ditur gjithashtu se eksportet e përshtatura ndaj efekteve sezonalë, mbetën të pandryshuar në Qershor, ndërsa importet u rritën me 1.2%.
Suficiti tregtar u tkurr në 19.3 miliardë euro, nga 20.4 miliardë që ishte në muajin Maj. Për gjysmën e parë të vitit, tregtia neto mbeti e pandryshuar në 121.5 miliardë euro, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2017-ës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.