Tkurrja e ekonomisë gjatë pandemisë, Muço: Ishte e pritshme. Duhet stimulim i biznesit, paketat e para ishin pa efekt
Qeveria duhet të stimulojë biznesin për të pasur rritje ekonomike të shëndetshme. Një ditë më parë, INSTAT njoftoi se gjatë 3 mujorit të dytë ekonomia pësoi një tkurrje prej 10.2%. Eksperti i Ekonomisë, Klodian Muço, për televizionin SCAN thekson se rezultatet ishin të pritshme, teksa u ndal tek nevoja për ndihmë konkrete për biznesin të cilën nuk e dhanë paketat e para ekonomike.
“Në të tilla kushte ajo që mund të bëjë qeveria sot për të stimuluar rritjen apo për të frenuar ngadalësimin e ekonomisë është stimulimi i bizneseve. Nëse në të kaluarën ndihmat kanë qenë kryesisht të fokusuara te Borxhi Sovran apo te Borxhi Kredisë që shkojnë për bizneset duhet thënë që nuk dhanë efektet e duhura, pasi ngelën fond ende pa u marrë nga bizneset. Kjo për arsye pasi borxhi Sovran dhe borxhi i dytë ishte kryesisht për pagesat e punëtoreve. Ajo që duhet të bëjë qeveria që e diskutoi edhe Maqedonia e Veriut javën e kaluar, rreth 470 milionë euro paketa shtesë është paketa që duhet të shkojë për biznesin e vogël dhe atë të madh në përgjithësi. ”
Masat e qeverisë për të krijuar lehtësira fiskale të biznesi i vogël, nëpërmjet heqjes së taksës dhe TVSH, Muço i komentoi si favorizuese të njërës palë gjë e cila pritet të krijoj pabarazi midis biznesit të vogël dhe atij të madh.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.