“Trajtimi i klimës shpëton miliona jetë” – Raporti i OBSH bën thirrje për veprim përpara konferencës COP26
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe thuajse ¾ e punonjësve botërorë të kujdesit shëndetësor, i bënë thirrje qeverive që të përshpejtojnë veprimet ndaj klimës, në konferencën botërore COP26, duke thënë se mund të shpëtojnë miliona jetë çdo vit. Raporti i agjencisë së OKB mbi ndryshimin klimatik dhe shëndetësinë, bën thirrje për veprime rrënjësore në çdo sektor, përfshirë energjinë, transportin dhe financat, duke thënë se përfitimet tek shëndeti publik nga veprimet ambicioze të klimës, tejkalojnë kostot.
OBSh ka thënë më parë se rreth 13.7 milionë vdekje në vit, apo 24.3% e totalit, janë për shkak të rreziqeve mjedisore, si ndotja e ajrit dhe ekspozimi me kimikate. Nuk është e qartë se sa shumë prej këtyre janë lidhur direkt me ndryshimin klimatik, por sipas ekspertëve të Organizatës, rreth 80% e vdekjeve nga ndotja e ajrit mund të parandalohen përmes ndjekjes së udhëzimeve. Ndryshimi klimatik po nxit gjithashtu disa sëmundje infektive si ethet e dengit dhe malarien, duke shkaktuar vdekje tek disa nga rajonet më të varfëra të botës, sipas ekspertëve.
Publikimi i raportit përkon me një letër të mbështetur nga mbi 400 organe shëndetësore që përfaqësojnë mbi 45 milionë infermierë, mjekë dhe profesionistë mjekësorë, që bëjnë gjithashtu thirrje për veprim. Javën e kaluar, Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB, njohu aksesin ndaj një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm si një e drejt thelbësore, duke shtuar peshën për të luftuar ndryshimin klimatik.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.