Trajtimi i mbetjeve spitalore – QSUT, tender mbi 1.4 mln lekë deri në fund të 2017
Një nga problematikat me të cilat duhet të ndeshen spitalet është edhe trajtimi i mbetjeve spitalore.
Shpesh herë ka patur probleme, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ndotjen e mjedisit, por edhe në rritjen e rrezikut për sëmundje të ndryshme tek qytetarët.
Për pjesën e mbetur të vitit 2017, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka shpallur tenderin për “Trajtimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, anatomike të lëngëta dhe të ngurta.”
Ky tender është shpallur në orët e para të ditës së Premte më 21 korrik dhe do të mbyllet më datën 1 gusht.
Fondi limit që Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza ka vënë në dispozicion është 1,482,000 lekë pa TVSH, dhe financohet nga buxheti i shtetit.
Subjekti që do të shpallet fitues do të duhet që të bëjë trajtimin e mbetjeve spitalore deri më 31 dhjetor të 2017, duke ju referuar kodit për hedhjen dhe trajtimin e mbetjeve.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.