‘Traktati i Quirinale’: A do të ndryshojë pakti i ri italiano-francez ekuilibrin e fuqisë në Europë?!
Pas vitesh tensionesh diplomatike, Franca dhe Italia do të nënshkruajnë një pakt historik miqësie dhe bashkëpunimi të enjten. Presidenti francez Emmanuel Macron do të bëjë një udhëtim në Romë për të nënshkruar “Traktatin e Bashkëpunimit të Forcuar Francezo-Italian” me kryeministrin italian Mario Draghi.
Sipas Elysee, ky traktat “do të promovojë konvergjencën e qëndrimeve franceze dhe italiane, si dhe koordinimin e të dy vendeve në çështjet e politikës europiane dhe të jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes, politikës së emigracionit, ekonomisë, arsimit, kërkimit shkencor, kulturës dhe bashkëpunimin ndërkufitar”.
Masa do të ketë “një vlerë të rëndësishme simbolike” në një kontekst europian të shënuar nga paqëndrueshmëria pas Brexit dhe tranzicionit politik në Gjermani, sipas një burim të qeverisë italiane.
Pakti do të synojë gjithashtu të anojë balancën e fuqisë në Europë pas largimit të kancelares gjermane Angela Merkel, tha një burim i qeverisë italiane për agjencinë e lajmeve Reuters.
Ajo vjen gati 60 vjet pasi një traktat franko-gjerman i nënshkruar nga Konrad Adenauer dhe Charles de Gaulle i dha një shtysë të re procesit të integrimit europian.
I quajtur pas pallatit të Presidencës italiane në Romë, “Traktati Quirinale” u shpall në 2017 për t’i dhënë “një kornizë më të qëndrueshme dhe ambicioze” bashkëpunimit francezo-italian.
Parisi dhe Roma donin ta përfundonin atë përpara largimit në janar të presidentit italian Sergio Mattarella, i cili është në fund të mandatit të tij shtatëvjeçar dhe përpara zgjedhjeve presidenciale franceze të vitit 2022.
Në fund të fundit, fati dhe rëndësia e traktatit të ri do të varet kryesisht nga rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme në të dy anët e Alpeve, me të dy vendet që do të zhvillojnë gara presidenciale në muajt e ardhshëm.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.