Transformohet ish zona e peshkimit/ Porti i Durrësit shpall tenderin. Fondi dhe detajet
Autoriteti Portual Durrës ka shpallur tenderin në Agjencinë e Prokurimit Publik, për zbatim projekti “Rehabilitimi i zonës së ish peshkimit”. Fondi i vënë në dispozicion të projektit është 7.8 milionë lekë.
“Aktualisht në territorin e ish peshkimit sapo janë shembur ndërtesat e amortizuara dhe/apo dëmtuara nga tërmeti dhe nuk është e shfrytëzueshme dhe kjo sipërfaqe të shtrohet me shtresa granulare dhe shtresë fundore betoni dhe të jetë e përshtatshme për tu përdorur si shesh, parkim apo sipas qëllimeve të APD” shkruhet në detajet e projektit.
Sipas specifikimeve teknike, sheshi në të ardhmen parashikohet për ankorimin e mjeteve lundruese në të thatë. Përfitimi i këtij projekti është se kthen të gjithë sheshin e ish peshkimit nga një shesh rrënojash dhe fare pak të përdorshëm në një shesh të përshtatshëm për parkim apo për qëllime të tjera sipas nevojave të APD-së.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.