Transmetimi i gazit/Vendimi i ERE: Tarifa e Albgaz, 25 lekë/m³ deri në dhjetor
Tarifa e përkohshme e transmetimit të gazit nuk do të pësojë ndryshime deri në dhjetor të këtij viti, duke mbetur në masën 25 lekë/m3. Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur shtyrjen e afatit për aplikimin e kësaj tarife, që sipas vendimit paraprak ishte fundi i muajit shtator.
Ndërkohë që, vendimi i ri i jep mundësinë kompanisë Albgaz të faturojë shërbimet e ofruara nga operatorët e tregut, të cilët vënë në përdorim linjat e transmetimit të kësaj shoqërie, me këtë tarifë.
Në maj të këtij viti ERE vendosi certifikimin paraprak të ‘Albgaz’ si operator i kombinuar i gazit natyror, ndërkohë që pas kërkesës së depozituar nga kompania në fjalë, u miratua dhe tarifa prej 25 lekë/m3.
Por, me përfundimin e afatit paraprak, kjo kompani në datën 28 gusht depozitoi një tjetër kërkesë për shtyrjen e afatit, me qëllim mospengimin e vazhdimësisë së aktivitetit të shoqërisë për periudhën në vazhdim.
Ndërkaq, bordi i ERE, duke marrë në konsideratë faktin se kjo shoqëri duhet ushtrojë aktivitetin e saj konform ligjit dhe direktivave të komunitetit të energjisë si dhe duke argumentuar se rregullimi i aksesit në rrjet duhet të jetë i garantuar vendosi që kjo tarifë të mbetet në fuqi deri në fund të vitit.
Aktualisht, Albgaz është në proces licencimi nga ERE, ndërkohë që Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka kërkuar zyrtarisht ndryshime ligjore, që janë të domosdoshme për përmbylljen e procesit konform rregullave të Bashkimit Evropian.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.