Transparenca vendore – Në vitin 2017 u rrit 50% informimi i publikut
Ndarja e re territoriale e njësive administrative bëri që bashkitë në vend të rrisin edhe transparencën ndaj publikut. Kështu referuar një raporti të kryer nga Qendra për Çështjet e Informimit Publik, rezulton se gjatë vitit 2016 niveli i transparencës nga bashkitë ishte në 31%, ndërsa gjatë këtij viti është rritur me mbi 50 %.
Objekt matjeje dhe vlerësimi janë marrë 5 komponentë që përbëjnë kusht kryesor infrastrukturor për implementimin dhe zbatimin e ligjit për informimin publike në qeverisjen vendore.
“Monitorimi i vitit 2017 sugjeron se implementimi i ligjit për të drejtën e informimit është rritur në 71 për qind, duke dhënë një sinjal pozitiv në drejtim të infrastrukturës që e bën këtë ligj kaq të rëndësishëm dhe të zbatueshëm. Kjo infrastrukturë bazë konsiston në 5 blloqe, hartimi dhe publikimi i programeve të transparencës, përcaktimi i koordinatorëve për të drejtën për informim hartimin dhe publikimin e regjistrave të kërkesave dhe të përgjigjeve, pasja e faqeve të internetit dhe publikimi vendimeve të Këshillave Bashkiakë, këta dy tregues të fundit janë kusht dhe indikatorë për vlerësimin e transparencës pro aktive, një parim i rëndësishëm që afirmon ligjin 119 2014”, u shpreh Gerti Shella, drejtor pranë Qendrës për Çështjet e Informimit Publik.
Por edhe pse ka pasur përmirësime, përsëri ankesat për këto njësi nuk kanë munguar për rritje të transparencës. Sipas Besnik Dervishit, Komisioner për Mbrojtjen e Dhënave Personale, pranë këtij institucioni janë regjistruar mbi 1400 ankesa, nga të cilat 90 % kanë marrë përgjigje dhe zgjidhje.
“Qëllimi ynë i përbashkët është bërja e transparencës. Janë 1407 ankesa gjithsej që nga data e hyrjes në fuqi e ligjit dhe unë mund të them se asnjë për qind e këtyre ankesave nuk ka mbetur pa përgjigje. Unë mendoj që kjo është arritja më e rëndësishme. Mbi 90 për qind e ankesave që vijnë pranë zyrës së komisionerit janë zgjidhur me ndërmjetësim, pra janë zgjidhur menjëherë pas ndërhyrjes së zyrës së komisionerit”, u shpreh Besnik Dervishit, Komisioner për Mbrojtjen e të Dhënave Personale
Sipas raportit mbi implementimin e të drejtës së informimit në bashkitë e vendit, në renditjen më të mirë janë cilësuar Bashkia e Tiranës, Shkodrës dhe e Korçës.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.