Transporti ajror – Aeroporti i Prishtinës ‘Adem Jashari’ vlerësohet si kompania e vitit
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka arritur të fitojë tre çmime nga “International Business Stevie Awards”.
Në këtë grupim të një prej çmimeve më prestigjioze në botë përfshihen të gjitha organizatat në mbarë botën dhe përmban kategori nga çdo aspekt i jetës profesionale.
Në kategorinë “Kompania e vitit në fushën e transportit”, Aeroporti i Prishtinës ka fituar çmimin e artë, së bashku me autoritetin e trafikut rrugor të Koresë së Jugut.
Sukseset e jashtëzakonshme në performancë përgjatë vitit të fundit duke përfshirë hapjen e linjave të reja, rritjen e numrit të destinacioneve si dhe rritjen e numrit të udhëtarëve të shërbyer, sipas një komunikate të Aeroportit, kanë qenë pikat themelore të vlerësuara nga gjyqtarët e International Business ‘Stevie’ Awards.
“Jemi mjaft të kënaqur me performancën tonë gjatë vitit të fundit. Këto çmime dëshmojnë përkushtimin tonë në rritjen e mundësive për udhëtarët tanë duke i kushtuar rëndësi të veçantë kujdesjes ndaj ambientit në të njëjtën kohë”, thuhet në komunikatë.
Aeroporti është shpallur fitues edhe në çmimin e argjendtë në kategorinë fushatës për Marrëdhëniet me publikun ose komunikimin; si edhe medaljen e bronxtë në kategorinë Programi i shëndetësisë, sigurisë dhe mjedisit më i mirë i vitit.
Ky aeroport kishte arritur të fitonte tre çmime nga Stevie Awards edhe në vitin 2015.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.