Tre arsye pse nuk po ju marrin në punë ndonëse jeni 100% i kualifikuar
Është një nga gjërat më frustruese kur jeni duke kërkuar punë. Ju aplikoni për pozicionin e duhur dhe jeni plotësisht të kualifikuar. Edhe pse jeni plotësisht të bindur për këto gjëra ju përsëri nuk merrni një ofertë pune dhe vijoni të tentoni intervistë pas interviste.
Punëdhënësit ju thënë se ishit ndër aplikimet më serioze, por në fund vendosën të marrin dikë tjetër.
Atëherë, ky fakt do të thotë se duhet të ndryshoni këtë pjesë të procesit: intervistën e punës. Ja çfarë nuk shkon dhe si ta ndryshoni.
1.Jeni të kualifikuar, por jeni të mërzitshëm
Kur mendoni për intervistën, mund t’ju ketë lënë edhe një ndjesi të mirë. Iu përgjigjët çdo pyetjeje dhe nuk bëtë ndonjë gabim. Nuk thatë ndonjë gjë mbresëlënëse, por në thelb ishte intervistë e mirë.
Për fat të keq, kaq nuk mjafton për t’ju siguruar vendin e punës.
Përgjegjësit e burimeve njerëzore që kryejnë intervistat shpesh intervistojnë dhjetëra njerëz në ditë. Ajo që duhet të bëni është të krijoni një përshtypje prej fituesi.
Më e mira do të ishte të praktikoheshit përpara intervistës. Jo thjesht të përsërisni në kokë se çfarë do të thoni, por merrni një mik i cili mund të luajë rolin e intervistuesit. Miku juaj do t’ju tregojë më mirë se kur po tregoheni mendjemadh dhe kur dukeni si i mërzitshëm.
2.Jeni të kualifikuar, por ju mungojnë aftësitë në intervistë
Nëse njihni një person që është shumë i zgjuar, por del shumë keq në provime, atëherë mund të merrni me mend se keni të njëjtin problem. Ju nervozoheni dhe ndiheni të mbytur.
Ndoshta ajo që bëni gabim është se nuk krijoni përshtypjen e dikujt që punon në grup. Ndoshta u përgjigjeni pyetjeve nga perspektiva juaj, pa menduar në interesat e punëdhënësit. Ndoshta nuk tregoheni sa duhet vlerësues për kolegët e vjetër.
Për të përmirësuar këtë aspekt, sigurohuni që të ndani arritjet tuaja edhe me kolegët dhe shefat e vjetër. Ose nëse jeni në intervistë për punën tuaj të parë, kujtohuni të falenderoni personin përballë për mundësi që po ju jep. Bëni kërkime për kompaninë që po ju merr në intervistë dhe hajdeni të përgatitur për ato pyetje që mendoni se kanë rëndësi për ta.
Gjithashtu çfarë mund t’ju ndihmojë është të kujtoni momentet kur vuajtët më shumë gjatë intervistës. Përpiquni të mos ngrini kur t’ju pyesin për rrogën apo për pikat tuaja të dobëta.
3.Jeni të kualifikuar, por të dëshpëruar
Kur ju pyesin për punën, ju tregoheni më të sinqertë se ç’duhet. Ose ndoshta aspironi se kjo do të jetë kompania juaj ideale.
Duhet të ktheheni me këmbë në tokë.
Nëse dikush ju merr në punë, nuk është duke ju bërë nder, pasi ju do të kryeni një shërbim për të. Nëse shumicën e kohës flisni se pse e zgjodhët atë si kompani, ata nuk do të kuptojnë se ç’vlerë përfaqësoni ju për ata.
Kështu, sa herë të tregoni diçka pozitive nga kompania, jepni edhe një ide se si mund të ndihmoni apo të ndryshoni diçka për ta bërë më mirë.
Kujtoni këtë gjë: fakti që plotësoni çdo kriter ju shpie deri tek dera. Për të kaluar kandidatët e tjerë të cilët kanë të njëjtat aftësi me ju, duhet të bëni një përpjekje më tepër, ndaj mësoni nga këto këshilla.
Përshtati: Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.