Tre arsye që shqetësojnë FMN mbi kriptot – Mungesa e rregullave, ekspertiza e dobët dhe influencuesit e mediave sociale
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka shprehur shqetësimin për tregun e kriptovalutave, veçanërisht sepse tregu relativisht i ri po rritet me një hap domethënëse, ndërsa rregullimet nuk po ndjekin këtë hap. Vlera totale e tregut të të gjithë aseteve të kriptovalutave e kaloi 2 trilionë dollarë në shtator të këtij viti, duke përfaqësuar një rritje me 10-fish nga nivelet e fillimit të vitit 2020. Evan Papageorgiou, zëvëndës shef i divizionit pranë FMN-së, deklaroi për CNBC se ekosistemi i kriptovalutave është rritur ndjeshëm, procesi ka treguar një ekasticitet të jashtëzakonshëm, por ka pasur edhe disa “stres teste” interesante.
Një ndër problemet që FMN e ka theksuar vazhdimisht është se shumë njerëzve dhe institucioneve financiare, që po i tregtojnë këto asete, i mungojnë praktikat e forta operacionale, të qeverisjes dhe praktikat e riskut”. Për këtë arsye, FMN ka thënë se konsumatorët janë në rrezik, pasi në këtë hapësirë ka një mbikëqyrje joadekuate. Edhe institucione të tjera kanë bërë thirrje për më shumë masa, për t’i bërë këto investime të sigurta. Kriptovalutat mund të jenë një temë përçarëse, me disa që argumentojnë se janë e ardhmja e parave, ndërsa të tjerë paraqesin argumente më skeptike mbi rreziqet.
Rregullatori financiar në Mbretërinë e Bashkuar ka paralajmëruar për lidhjen mes mediave sociale dhe investimet në kripto. “Influencuesit e mediave sociale po paguhen në mënyrë të vazhdueshme nga mashtruesit për të hedhur në tregu dhe për të shitur kriptomonedha të reja, me mbështetjen e spekulimeve të pastra. Disa influencues po promovojnë monedha që rezultojnë se nuk ekzistojnë fare”, shprehet Charles Randell, kryetari i rregullatorit financiar në Mbretërinë e Bashkuar. Kim Kardashian, një personazh i njohur me më shumë se 200 milionë ndjekës në Instagram, është paguar për të reklamuar një kriptovalutë në llogarinë e saj, më herët gjatë këtij viti.
Por, kritikët nxorën në pah se njiheshin vetëm pak detaje mbi zhvilluesit e kriptomonedhës që quajtur ethereummax, të cilët e promovoi Kardashian. Edhe influencues të tjerë, që kanë shumë ndjekës në mediat sociale, kanë promovuar kripto të ndryshme kundrejt pagesës, por pa pasur asnjë ide se sa e rrezikshme është kjo praktikë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.