Tre lloje certifikatash të Gjendjes Civile, së shpejti do t’i merrni online
Nëse do t’ju duhet të merrni online një certifikatë lindje apo martese (nga akti), kjo do të jetë e mundur shumë shpejt në portalin e-Albania. Përmes projektit “Shtimi i 209 shërbimeve të reja elektronike për 18 institucione”, të ndërmarrë nga AKSHI, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, duke parë edhe fluksin e lartë të kërkesave për marrjen e këtyre lloj certifikatave, përmes dy shërbimeve specifike do t’u verë në dispozicion qytetarëve mundësinë e shkarkimit, shoqëruar me vulë dixhitale.
Shërbimi elektronik ‘Certifikatë lindje (nga akti)’ u mundëson qytetarëve të marrin në moment dokumentin, i cili së shpejti do të jetë i vlefshëm edhe ligjërisht në sajë të vulës dixhitale. Me anë të shërbimit, qytetarët mund të shohin dhe të verifikojnë të dhënat e aktit të lindjes për pjesëtarët e familjes, të lindur pas vitit 2008. Procedura është mjaft e thjeshtë, mjafton që përdoruesi i regjistruar në portal, të zgjedhë shërbimin e dedikuar, të klikojë butonin ‘përdor’ dhe më pas të zgjedhë familjarin për të cilin kërkohet të merret certifikata e lindjes. Pas kësaj përdoruesit do t’i shfaqet hapi i radhës “Vazhdo aplikimin” dhe më pas të shkarkojë certifikatën. E gjitha kjo, në moment, pa vonesa, falë ndërveprimit në sinkron të Drejtorisë së Gjendjes Civile, nëpërmjet Regjistrit Elektronik.
E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për të marrë një “Certifikatë martesë (nga akti)’, nëse ligjërisht martesa është kryer pas vitit 2008. Certifikata mund të shkarkohet në moment, nga një prej bashkëshortëve, kur dhe ku ata të duan dhe menjëherë në dorë do të kenë certifikatën e martesës, me vlerë ligjore, pa patur nevojë që të shkojnë pranë institucionit fizikisht.
Një tjetër shërbim që do të ofrohet nga ky institucion është edhe “Certifikatë vdekje (nga akti)”. Për qytetarët e interesuar, që kërkojnë të marrin certifikatën e vdekjes për familjarin e tyre, ky shërbim ofrohet vetëm nëse ndarja nga jeta ka ndodhur pas vitit 2008. Aplikanti i interesuar, pas regjistrimit në portal dhe përdorimit të shërbimit në fjalë, duke plotësuar numrin personal NID të të ndjerit, më pas mund të shkarkojë direkt certifikatën, për të vijuar me procedurat e tjera për të cilat është i interesuar.
Për të treja shërbimet e mësipërme, në rast se ngjarjet kanë ndodhur para vitit 2008, atëherë aplikantët duhet të plotësojnë formularin online që iu shfaqet. Kërkesa do të shqyrtohet nga punonjësi i zyrës së Gjendjes Civile, i cili do të kthejë përgjigjen me anë të një e-mail-i sqarues, duke informuar për kohën kur certifikata do të jetë gati.
Përpos shërbimeve të mësipërme, e-albania do të sjellë në dispozicion të të dënuarve aktualë apo atyre që e kanë kryer dënimin si dhe të afërmve të tyre, mundësinë e marrjes së vërtetimit për hyrje-daljet nga vendi i dënimit apo të periudhës së burgut, shërbime këto të ofruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Qytetarët e interesuar mund të marrin vërtetimin e kërkuar online, përfshirë këtu të dënuar ekzistues në sistemin penitenciar, si dhe ish-të dënuarit. Marrja e përgjigjes është elektronike, me vlerë ligjore, duke lehtësuar procedurat për këtë kategori të shoqërisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.