Tre sfidat ekonomike të Shqipërisë – KE: Klima e biznesit, kualifikimi i punëtorëve, diversifikimi energjetik
Komisioni Europian në dokumentin e punës për vlerësimin e reformave ekonomike në vendin tonë, nënvizon edhe tre sfida kyçe për Shqipërinë. Siç e thekson qysh në krye të herës dokumenti, kriza e shkaktuar nga Covid-19 nuk i ndryshon aspak prioritetet e vendit tonë në drejtim të programit ekonomik, por thjesht i bën ato më emergjente. Sfida numër një i referohet përmirësimit të aftësive të popullsisë për të përmbushur edhe nevojat e tregut të punës.
Ky është një problem i kahershëm i ekonomisë shqiptare për të cilin kanë folur vazhdimisht organizmat e huaja por edhe vetë qeveria shqiptare. Tregu jonë i punës vuan për profesionistë, ndërkohë që edhe ata profesionistë të kualifikuar kanë ikur jashtë vendit apo po përgatiten që të ikin. Bizneset e ndryshme, veçanërisht ato prodhuese ngrenë vazhdimisht zërin për një problematikë të tillë. Komisioni Europian vë theksin pikërisht te fakti se Shqipëria ka ndër nivelet më të ulta në Europë të arsimimit të popullsisë, ndërkohë që thekson edhe se, shqetësues mbetet fakti se jo dosmodoshmërisht edukimi i lartë sjell rezultat në normat e punësimit.
Edhe sfida numër dy është një problem i vjetër, dhe i referohet diversifikimit të burimeve energjetike, çka do të rriste eficencës, si dhe do të përmirësonte qëndrueshmërinë financiare të kompanive publike të energjisë. Prodhimi energjetik në vendin tonë është i varur tërësisht nga burimet hidrike, çka e bën nevojën tonë energjetike por edhe ekonominë dhe financat të jenë vazhdimisht në dorë të kushteve atmosferike.
Sfida numër tre ndërkohë duket të jetë ajo më e rendësishmja por edhe më gjithëpërfshirësja, pasi i referohet përmirësimit të klimës së biznesit dhe asaj të investimeve. Klima e biznesit në vend vijon të vuajë nga dobësia strukturore dhe progresi i dobët i reformave, thuhet në raport. Sundimi i dobët i ligjit, informaliteti i lartë, varësia nga eskportet me vlerë të shtuar të ulët, por edhe pamjaftueshëmria në legjislacionin për mbrojtjen e konsumatorit janë ndër problemet më të mëdha të biznesit shqiptar, të cilat duhen adresuar.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.